Politike

Basha: Valdrini i duhej Ramës për t’i garantuar rrugën e trafikut të drogës në Shkodër

Lulzim Basha akuzoi Kryeministrin Edi Rama se jo vetëm që ishte në dijeni të së shkuarës së Valdrin Pjetrit, por e vendosi atë në krye të Shkodrës pikërisht për shkak të aktivitetit të tij. Kreu i PD-së tha në një konferencë për mediat se Valdrin Pjetri i duhet Ramës për të garantuar rrugën ballkanike të trafikut të drogës që kalon përmes Shkodrës.

“Valdrinin e çoi në Shkodër Edi Rama, duke e ditur shumë mirë se kush ishte ai dhe vëllai i tij me të cilët bashkarisht përuruan hotelin e drogës në Tiranë, me qëllim që të garantonte trafikun e drogës në rrugën e Ballkanit që kalon përmes Shkodrës”, tha Basha.

Kreu i PD i referohet këmbënguljes së Ramës për të zhvilluar fushatë elektorale në Shkodër para 30 qershorit si një tjetër provë.

“Për Valdrinin Edi Rama, hyri në Shkodër me forca speciale dhe i armatosur. Ishte i gatshëm që ta çonte Shkodrën në përplasje civile. Edi Ramas i duhej pikërisht Valdrini në Shkodër, siç edhe ua tha me zë dhe figurë shqiptarëve vetëm pak javë më parë, si kryetar bashkie dhe si kryetar i grupit të rilindjes në Shkodër”, shtoi ai.

Basha rrëzon versionin e Kryeministri Edi Rama dhe të përfaqësuesve të tjerë socialistë, që përgjegjësinë për këtë e kalojnë individuale tek Valdrin Pjetri.

“Po përpiqet me shpejtësi të lajë duart. Rasti i tij do të ishte relativisht i parëndësishëm nëse e vërteta do të ishte siç thotë Edi Rama dhe mercenearët e tij, por nuk është rast i shkëputur, sot një pjesë e mirë e të gjithë kryebashkiakëve që Edi Rama ua imponoi me dhunë shqiptarëve, ose kanë të shkuar kriminale, ose kanë lidhje aktuale me krimin. Pjerin Ndreu në Lezhë, një njeri i nxjerrë nga lista e zezë a ambasadës amerikane për përfshirje në trafiqe, u hoq nga policia me Fatos Nanon, u rikthye deputet me Edi Ramën, u kap në dosjen 184, u kandidua për Bashkinë e Lezhës. Valbona Sako në Durrës është e përfshirë në vjedhjen e votave në bashkëpunim e krimin dhe është përfaqësuese e bandës Dako-Avdylaj me familjarë eksponentë të rëndësishëm të drogës. Artur Bushi në Krujë është i dënuar për trafik droge dhe nuk duhet të jetë kryebashkiak. Agim Kajmaku në Vorë është një person me dy identitete dhe i përfshirë në veprimtari të paligjshme në Greqi. Dionis Imeraj në Dibër është gjithashtu njeri me të shkuar kriminale. I pushuar për korrupsion dhe nën hetim për korrupsion, i përfshirë në vjedhjen e votave në Dibër, përfaqësues i bandës së Ymer Lalës. Rakip Suli duhet të ishte përjashtuar dhe ndjekur penalisht, kur ishte deputet, për përfitimet e paligjshme në konflit interesi për objektet me qera e me kontrata, por as nuk u përjashtua, as u dënua, por u kandidua. Tërmet Peçi në Tepelenë, Klement Ndoni, të arrestuar në falgrancë nga policia dhe të ndjekur nga prokuroria për qindra kilogramë kanabis”, deklaroi Basha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë