Lajme

Basha te “Astiri”: Rama-Veliaj devijuan projektin për një kriminel!

Ka zgjatur rreth një orë protesta e banorëve të “Unazës së Re”, të cilët bllokuan rrugën kundër vendimit të qeverisë që parashikon ndërtimin e rrugës në gjurmën që përshkruan banesat e tyre.

Në ditën e 49 të protestës, banorët janë mbështetur nga kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili denoncoi sërish se bëhet fjalë për një aferë 60 milionë euro, duke shtuar se plani i zonës së “Astirit” u devijua për të mbrojtur kompleksin e Edmond Begos, një biznesmen i akuzuar për trafik droge që sipas demokratëve ka miqësi me Taulant Ballën.

“Jemi sonte si çdo natë në mbështetje të banorëve, për të mbështetur protestën e tyre të drejtë, e cila ishte i vetmi mjet për zmprapsjen e kësaj afere korruptive. Ditët e fundit PD ka denoncuar një tjetër aferë, sot të gjithë e keni parë se si me dokumente zyrtare është faktuar mashtrimi i Erion Veliajt, i cili firmosi devijimin e Lanës për të mos prekur pronën e Edmond Begos, i cili është firmosur edhe nga Rama, - u shpreh Basha. - Çifti më i korruptuar Rama-Veliaj kanë bërë një akt që nuk është bërë mbi 2 mijë vjet në histori, kanë devijuar projektin që të ndërtojë një kriminel dhe një trafikant droge. Të gjitha këto shkelje flagrante të ligjit bëhen për të favorizuar oligarkë dhe kriminelë. Nuk ka asnjë projekt zhvillimi për Shqipërinë. Tarifat e studentëve rriten vit pas viti, pensionet nuk rriten. Ne propozuam Vettingun politik, që këta njerëz të mos jenë më në parlament”.

Basha i bëri thirrje qytetarëve të ngrihen në protesta, për të rrëzuar sipas tij këtë klikë të korruptuar dhe të me krimin, “i cili mund të mposhtet vetëm me rezistencë qytetare”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë