Pas Palokës, kreu i PD, Lulzim Basha ka reaguar në lidhje me deklaratat e Ramës për ministrin Xhafaj. Përmes një postimi në Facebook, Basha thotë se kërcënimi me burg i opozitës që denoncoi skandalin “Xhafaj” është skandaloz, tipik për udhëheqësit autokratë dhe të inkriminuar.
“Ne as nuk jemi trembur dhe as nuk tërhiqemi nga sulmet e një Kryeministri që kërcënon me burg opozitën, por jo kriminelët dhe trafikantët e drogës. Edi Rama sot mori rolin e ekspertit audio, të prokurorit dhe të gjyqtarit që do të burgosë opozitën, por nuk i kërkoi ministrit të tij të Brendshëm të mbante përgjegjësi pse nuk ka zbatuar ligjin Antimafia dhe ta largonte atë.
Në emër të Partisë Demokratike, i siguroj shqiptarët dhe partnerët ndërkombëtarë se ne do ta vazhdojmë edhe më fuqishëm betejën me krimin e organizuar dhe do të përballemi me të njëjtën forcë me qeverinë që punon për krimin e organizuar dhe jo për qytetarët e ndershëm të këtij vendi”- shkruan Basha në Facebook.
Më herët, PD reagoi edhe përmes nënkryetarit të saj, Edi Paloka. Deputeti demokrat reagoi fill pas deklaratës së Kryeministrit Rama në lidhje me ministrin Fatmir Xhafaj, duke e cilësuar si shfaqje të radhës daljen e tij në grupin e PS.
“Rama mbajti qëndrimin që pritej, mbrojti ministrin e tij me argumente absurde, pasi ai po mbron veten. Me të njëjtat fjalë si Xhafajn mbrojti edhe Tahirin, që sot është në arrest shtëpie, se drejtësia është e kapur” – deklaroi Paloka.
Kreu i grupit demokrat akuzoi Ramën se është ai kupola e krimit dhe shprehja e tij “s’ka parë gjë akoma” është e vlefshme edhe për rastin “Xhafaj”.
Paloka akuzoi Ramën se i dha urdhër Prokurorisë të thotë që audio-përgjimi nuk është i vërtetë.
“Rama i ka bërë ekspertizën një përgjimi që është në Prokurori, por do t’ia dëgjojë krismën” – deklaroi Paloka para mediave
“Protesta e sotme është vetëm një hap i qytetarëve që na kërkuan t’i mbështesim, nuk do të ndalemi derisa Xhafaj të ikë dhe Rama të shkojë atje ku duhet. Rama do të pendohet”- mbylli reagimin e tij Paloka gjatë protestës para Ministrisë së Brendshme, ku opozita kërkoi largimin e Fatmir Xhafajt nga detyra.
Paloka akuzoi Ramën se i dha urdhër Prokurorisë të thotë që audio-përgjimi nuk është i vërtetë.
“Rama i ka bërë ekspertizën një përgjimi që është në Prokurori, por do t’ia dëgjojë krismën” – deklaroi Paloka para mediave.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.