Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i është rikthyer akuzave ndaj qeverisë e kësaj here për shpenzimet e luksit që sipas tij, “Rama” ka kryer gjatë gjashtë vite qeverisje. Në një postim me anë të videos, Basha shprehet se “qeveria ka shpenzuar 32,5 milionë euro bileta avioni në 6 vjet dhe se Edi Rama jeton në mes të luksit me paratë publike, ku vetëm zyra e tij ka kushtuar 5,5 milionë euro”.
“Shqiptarët janë sot të varfër sepse janë të vjedhur. Varfëria, papunësia, mungesa e mundësive vijnë nga grabitja që po i bëhet Shqipërisë nga Edi Rama me një grusht klientësh. Paratë tuaja, paratë e shqiptarëve po i vjedh Edi Rama me familjen dhe miqtë e tij. Pasurohen të pushtetshmit dhe të pasurit, varfërohen njerëzit e thjeshtë dhe të pambrojtur. Miliarda euro janë vjedhur, abuzuar dhe shpërdoruar nga Edi Rama këto 6 vjet, të gjitha kanë përfunduar në xhepat e tij ose janë shpërdoruar për tekat e tij në fasada dhe luks, ndërsa shqiptarët nuk sigurojnë dot bukën e përditshme. Shqiptarët janë pa punë, sepse ekonominë dhe mundësitë ekonomike i kanë marrë oligarkët dhe klientët e Edi Ramës”, thekson Basha në postimin e tij në Facebook.
Ai thotë se “Rama është artist i mashtrimit dhe çdo gjë që ka premtuar, cdo gjë që ka thënë ka qenë mashtrim me qëllim për të vjedhur. Çdo projekt, program dhe politike është mashtrim për shqiptarët në shërbim të oligarkëve”.
Videoja mbyllet me pamje nga protestat e fundit, duke paralajmëruar kështu opozita po përgatitet për nisjen e sezonit të protestave në moton “Rama ik”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.