Politike

Basha shpotit kandidatët duke iu drejtuar bazës: S’duhet të pranoni askënd, që nuk e sheh 25 Prillin si masakër

Vetëm pak ditë para zgjedhjeve për drejtimin e partisë, Kreu i PD-së, Lulzim Basha, tha se qëndrimet e opozitës duhet të jenë të qarta.

“Qëndrimet tona duhet të jenë të qarta, qëndrimet tona duhet të jenë të pa ekuivoke. Dhe i pari që e ka përgjegjësinë ta bëjë këtë është kryetari i Partisë Demokratike, sot dhe pas 13 qershorit.

Kryetari i Partisë Demokratike sot e ka bërë të qartë ditë për ditë dhe i ka përdorur këto mikrofona dhe atë kamera çdo ditë siç e keni ndjekur për të dhënë të njëjtin mesazh: nuk e pranoj dhe nuk do ta pranoj kurrë si legjitim masakrën zgjedhore të 25 prillit sepse nuk përfaqëson vullnetin e qytetarëve shqiptarë.

Nuk ka bashkëpunim me autorin e kësaj masakre sepse kjo do të na bënte bashkëfajtorë, pra, betejë deri në fund dhe mobilizimin më të madh popullor për të rikthyer demokracinë, për të rikthyer legjitimitetin.

Dhe në funksion të kësaj, jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me këdo që i dhimbset demokracia në Shqipëri dhe padiskutim na duhet të bashkëpunojmë edhe me aleatët tanë, në funksion të sprapsjes së masakrës zgjedhore...”, tha ai gjatë takimeve me demokratët e tre degëve ne Tiranë.  

Basha rriti tonet edhe në raport me kandidatët që janë në garë, duke bërë deri diku diversion me qëndrimet që ata kanë në raport me rezultatin e zgjedhjeve.

“Pa paragjykuar lirinë e çdokujt që ka vendosur të kandidojë në këtë garë, kam kërkuar dhe do të kërkojë deri në minutën e fundit që ndonëse mund të kemi mendime të ndryshme mbi çështje të ndryshme, mbi një çështje s’mund të kemi dy mendime.

Të mohosh masakrën e 25 prillit dhe të njohësh zgjedhjet, do të thotë dorëzim pa kushte para padrejtësisë. Do të thotë dorëzim para gjithë maskaralliqeve dhe harbutërisë dhe barbarisë që është derdhur kundër demokratëve e në fakt kundër të gjithë shqiptarëve.

Do të thotë të hedhësh poshtë sakrificat e gjithsecilit prej jush dhe të qindra e mijëra demokratëve anembanë Shqipërisë.

Do të thotë të hedhësh poshtë shantazhin, blerjen e votës që kanë pësuar demokratët anembanë Shqipërisë, me qëllim tjetërsimin e rezultatit.

Do të thotë po kështu të hedhësh poshtë kështu besimin jo vetëm të demokratëve por dhe të shqiptarëve që në Shqipëri mund të bësh diferencën dhe mund të sjellësh dhe mund të sjellësh ndryshimin me mjete të ndershme.

Do të thotë pra, të pranosh se në këtë vend nuk mund t’i ndryshosh gjërat po mos të jesh kriminel, i korruptuar ose shoku dhe shërbëtori ose shefi i tyre.

Unë këtë nuk mund ta pranoj dhe e unë e di që dhe ju nuk e pranoni dhe nuk duhet ta pranoni...”, tha ai


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë