Kryedemokrati Lulzim Basha udhëtoi drejt Thumanës për të parë nga afër situatën katastrofike të krijuar nga tërmeti i fuqishëm. Në zonat e prekura nga tërmeti Basha takoi familjarët që kishin të afërmit nën rrënoja.
Më pas ka mbajtur një postim në rrjetet sociale. “Ky mëngjes na gjeti të tronditur thellë nga tërmeti i frikshëm që fatkeqësisht, solli humbje jetësh njerëzore, lëndime, si dhe dëme të mëdha. Partia Demokratike, unë dhe familja ime u shprehim ngushëllimet më të thella familjeve që kanë humbur të afërmit e zemrës, dhe u urojmë shërim sa më të shpejtë të lënduarve. Ne po bëjmë gjithçka që t’i gjendemi pranë çdo shqiptari në këtë fatkeqësi dhe tronditje të madhe të përbashkët. ZERO interpretim politik nuk kam sot, përveçse një thirrje qeverisë që të shpallë menjëherë gjendjen e emergjencës, për të mjekuar të dëmtuarit, për të inventarizuar dëmtimet, për të mirëmenaxhuar panikun dhe pasojat e tërmetit”.

Kreu i PD-së bëri thirrje për solidaritet për të dalë në krah të njerëzve që kanë humbur të afërmit e shtrenjtë, në krah të qytetarëve të lënduar që janë ende të tronditur dhe të dëmtuar rëndë.
“Respekt, mirënjohje dhe mbështetje totale mjekëve, infermierëve, punonjësve të policisë, ushtarakëve, personelit të strukturave të emergjencës, kompanive që po ndihmojnë me çfarë munden për të përballuar këtë situatë të rëndë. Të gjithë bashkë si një familje e madhe, pa asnjë dallim, do t’ia dalim!”, shprehet Basha në postimin e tij.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.