Politike

Basha: Rama mbron Pjetrin nga dekriminalizimi. I duhet për të vjedhur

Lulzim Basha këmbëngul se Valdrin Pjetri gëzon mbështetjen e Edi Ramës, që ka urdhëruar prokurorinë që ta mbrojë atë nga ligji i dekriminalizimit.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i Partisë Demokratike thotë se Pjetri duhet të merret urgjentisht si i pandehur për shkak fshehjes së të dhënave për të shkuarën si trafikant droge.

“Edi Rama është kërcënim dhe rrezik për jetën dhe sigurinë e çdo familje shqiptare! Ai ka uzurpuar të gjitha pushtetet me një bandë kriminelësh e hajdutësh që i duhen për të vjedhur Shqipërinë. Valdrin Pjetri duhet të merret urgjentisht i pandehur sepse ka shkelur Ligjin e Dekriminalizimit duke fshehur të dhënat mbi të kaluarën e tij si trafikant droge. Por Edi Rama i ka dhënë urdhër prokurorisë së korruptuar që ta mbrojë nga ligji i dekriminalizimit”, shkruan Basha.

Kryedemokrati mendon se përsa kohë në zyrën e Kryeministrit do të qëndrojë Edi Rama, nuk do të ketë as drejtësi, asa demokraci dhe banditët e kriminelët do të sundojnë Shqipërinë.

“Krimi dhe Edi Rama janë të pandashëm. Që të largojmë krimin duhet të largojmë Edi Ramën! Shporrja e Hajdutit Psiqik dhe bandës së tij është jetike për sigurinë dhe jetën e çdo familje shqiptare!”, mbyll reagimin e tij kreu i PD.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë