Politike

Basha: Rama i korruptuari i Ballkanit! Dëboi investitorët për klientët e tij

Lulzim Basha përsëriti akuzën se në gjashtë vite pushtet, Edi Rama jo vetëm që nuk ka tërhequr një investim të huaj madhor, por ka përzënë edhe ata që gjeti në Shqipëri për t’i zëvendësuar me klientët e tij.

“Asnjë investim të huaj nuk ka sjellë Hajduti Psiqik në Shqipëri në 6 vjet. Shqipëria dhe Koreja e Veriut janë të vetmet vende në planet, pa asnjë investim të ri të huaj në 6 vitet e fundit. Pa investime të huaja nuk ka zhvillim ekonomik, nuk ka vende të reja pune, nuk ka mirëqenie. Investimet e huaja janë të domosdoshme për çdo vend. Me Edi Ramën nuk ka investime, nuk ka zhvillim, nuk ka punësim, por vetëm grabitje, vjedhje, varfëri dhe papunësi”, deklaron Basha.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i demokratëve u referohet raporteve ndërkombëtare.

“Të gjitha tregojnë me gisht Edi Ramën si Kryeministrin më të korruptuar të Ballkanit. Ai vjedh Shqipërinë me një bandë oligarkësh grabitqarë dhe pastron paratë e drogës dhe krimit. Për të mbrojtur bandën e tij, Edi Rama përzuri investitorët e huaj dhe i zëvendësoi me klientët e tij. Të gjitha investimet perëndimore po largohen nga Shqipëria”, vijon Basha.

Për të zhvilluar ekonominë dhe tërhequr investime të huaja, Basha thotë se ka vetëm një rrugë dhe ajo është largimi i Edi Ramës, që e quan “hajduti psiqik” së bashku me bandën e tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë