Politike

Basha: Rama fsheh një tjetër kriminel, Kajmakun e Vorës

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha me anë të një video akuzon kryeministrin Edi Rama se po fsheh faktin se kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajamaku është i dënuar dhe ka probleme me drejtësinë në Greqi.
Me anë të një mesazhi në rrjetet sociale, Basha shkruan se “Edi Rama është kërcënim dhe rrezik për jetën dhe sigurinë e çdo familje shqiptare! Ai ka kapur dhunshëm çdo pushtet me ndihmën e një bandë kriminelësh e hajdutësh me të cilët vjedh Shqipërinë. Njëlloj si me Valdrin Pjetrin, Edi Rama e di se Agim Kajmaku i Vorës ka falsifikuar formularin e dekriminalizimit! Hajduti Psiqik e di se i përzgjedhuri i tij për Vorën ka probleme të hapura me drejtësinë greke, dhe se ai e ka fshehur të vërtetën”.
Lideri i PD-së thekson se kryeministri Rama, përmes ministres Belinda Balluku, vendosi veton dhe injoroi kërkesën e socialistëve të Vorës para 30 Qershorit që të mos kandidonte një person për të cilin e gjithë Vora e di se ka probleme të hapura me drejtësinë greke.
“Jorgo Kajmaku duhet të largohet dhe të merret menjëherë i pandehur sepse ka shkelur Ligjin e Dekriminalizimit dhe ka fshehur të dhënat mbi të kaluarën e tij. Ai duhet të përballet edhe me drejtësinë greke të cilës i është fshehur prej vitesh! Por sërish Edi Rama e mbron Jorgo Kajmakun nga zbatimi i Ligjit të Dekriminalizimit, me anë të prokurorisë së korruptuar dhe politizuar. Por sa kohë Edi Rama është në zyrën e kryeministrit, nuk do të ketë as drejtësi dhe as demokraci, banditët, kriminelët dhe hajdutët do të vjedhin dhe dhunojnë shqiptarët”, shkruan Basha.

Kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajmaku, duke u betuar. Gazeta Si, 25 gusht 2019


Për këtë Basha bën thirrje për largimin e kryeministrit, pasi sipas tij, krimi dhe Edi Rama janë të pandashëm. “Që të largojmë krimin duhet të largojmë Edi Ramën! Shporrja e Hajdutit Psiqik dhe bandës së tij është jetike për sigurinë dhe jetën e çdo familje shqiptare!#HajdutiPsiqik #RamaIk #ShqipëriaSiEuropa”, theksoi kreu i PD-së.
Opozita pas Pjetrit, ka nxjerrë një tjetër akuzë ndaj kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmaku duke e akuzuar se ka një të kaluar të dyshimtë në Greqi. Për PD-në, Kajamaku ka llogari të pambyllura me drejtësinë e greke dhe se prej disa vitesh nuk udhëton drejt Greqisë. Nëpërmjet sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, Gazment Bardhi i është kërkuar Prokurorisë së Përgjithshme që të verifikojë Kajmakun, i cili në Greqi ka pasur emrin Jorgo Toto.
Pas kësaj shkrese zyrtare, Prokuroria është vënë në lëvizje duke pranuar që të verifikojë nëse Kajmaku ka probleme me drejtësinë ose jo.
Ndërsa vetë Kajmaku ka hedhur poshtë akuza ku me anë të një postimi në Facebook shprehet se nuk është i dënuar në Greqi dhe ka publikuar disa dokumente me vulë të shtetit grek që vërtetojnë sipas tij, të kundërtën e asaj që pretendon PD-ja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë