Politike

Basha: Qeveria të aktivizojë privatin për testet molekulare e imunologjike

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, shprehet se situata e përhapjes së COVID-19, ka dalë jashtë kontrollit.  Basha zhvilloi një takim me mjekë dhe specialistë të fushës bashkë me departamentin e shëndetësisë në PD.

“Dështimi me menaxhimin e situatës çoi dëm sakrificën e 3 muajve izolim. Sot qytetarët po përballen me një rritje të numrit të viktimave, të të prekurve me COVID-19, shoqëruar dhe me krizën e rëndë ekonomike.

Vatrat kryesore të infeksionit tani janë spitalet dhe qendrat shëndetësore. Përhapja e virusit në spitale ka rritur ndjeshëm numrin e personelit mjekësor të prekur me COVID-19, si dhe infektimin e qytetarëve që marrin ndihmë për sëmundje të ndryshme. Virusi është evidentuar tashmë kudo, në polici, në kopshte e çerdhe, në zyrat e shtetit e kudo.

Qeveria është dorëzuar dhe nuk po merr masa parandaluese, duke vendosur në rrezik jetën e qytetarëve. Karantina 3 mujore shërbeu vetëm për vjedhjen e miliona lekëve përmes tenderave sekretë, pasi qeveria nuk mori asnjë masë për kujdesin ndaj qytetarëve pas lehtësimit të kufizimeve”, tha Basha.

Kryetari i PD-së radhiti pyetjet që PD-ja ka adresuar prej kohësh ndaj ministres Ogerta Manastirliu.

“Sa është numri i kiteve të testimit që ka në dispozicion Shqipëria dhe çfarë po bëhet me sigurimin e tyre? Si po trajtohen të infektuarit që ndodhen në qytete të tjera të vendit? A po mbështeten financiarisht mjekët dhe infermierët, që po bëjnë një punë të jashtëzakonshme në kushte tejet të vështira? A ka qeveria në dispozicion fonde për të rritur kapacitetet testuese?”

Sipas tij, sot është jetik testimi horizontal i personelit dhe pacientëve për të gjurmuar, identifikuar sa më parë dhe izoluar të infektuarit.

“Situata është jashtë kontrollit por qeveria hesht, ndërsa duhet të kishte marrë masa për aktivizimin e një rrjeti të gjerë laboratorësh publikë e privatë për testet molekulare e imunologjike.

Në kushtet e përkeqësimit të situatës nga COVID-19, Shqipëria është pa plan dhe pa masa për pajisjen e popullsisë me maska gratis ose me çmime të përballueshme”, tha Basha, duke shtuar se vëmendja dhe kujdesi i qeverive të përgjegjshme sot në botë është fokusuar tek menaxhimi i situatës shëndetësore dhe ekonomike dhe parashikimi e shtimi i kapaciteteve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë