Politike

Basha: Qeveria s’mund të trajtojë shqiptarët si refugjatë në shtetin e tyre

Partia Demokratike e cilëson jo vetëm antikushtetuese, por edhe papërgjegjshmëri dhe akt kriminal mbylljen e kufijve dhe lënien jashtë Shqipërisë të dhjetra qytetarëve shqiptarë.

“Mbyllja e kufirit për dhjetëra shqiptarë në tokën neutrale Shqipëri-Greqi dhe ndalimi i tyre për të hyrë në atdhe e për tu kthyer në shtëpitë e tyre, është një akt kriminal dhe i papërgjegjshëm”, deklaron Basha përmes një postimi në rrjetet sociale.

LEXO EDHE:
Më shumë se 100 shqiptarë të bllokuar në kufijtë me Greqinë
Të bllokuar në tokën e askujt! Këtej s’i lënë shqiptarët, andej s’i lënë grekët

Duke iu referuar lajmeve që vijnë kryesisht nga dy pikat doganore më të mëdha me Greqinë, Kapshtica dhe Kakavija, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i kujton Qeverisë se është përgjegjëse për jetën e çdo shqiptari.

“Kushtetuta e Shqipërisë e detyron qeverinë të mos lërë pa atdhe asnjë shqiptar. Ata nuk mund të trajtohen kurrsesi si refugjatë nga shteti i tyre. Tragjedia që po luhet prej 4 ditësh para syve tanë me jetët e dhjetëra shqiptarëve duhet të marrë fund sot!”, shkruan Basha.

Me dhjetra emigrantë shqiptarë kanë mbetur të bllokuar në Kapshticë dhe Kakavijë. Ata qëndrojnë në pritje për orë, e me raste edhe ditë me radhë pasi pala shqiptare nuk u lejon hyrjen, në bazë të një urdhri që është dhënë për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Më dramatike është situata për ata shtetas që në territorin grek kanë hyrë me pasaporta, duke shfrytëzuar afatin 90-ditor të lëvizjes së lirë Shengen. Pasi marrin vulën nga pala greke dhe më pas refuzohen nga pala shqiptare që të hyjnë, ata mbeten të bllokuar në tokën neutrale, pasi nuk mund të kthehen më pas në Greqi.

Për ata me leje qëndrimi dhe pune të marra nga autoritetet greke, shpesh zgjidhja ka qenë kthimi mbrapsht për në Greqi pasi u është refuzuar hyrja në Shqipëri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë