Ngjarje

Të bllokuar në tokën e askujt! Këtej s’i lënë shqiptarët, andej s’i lënë grekët

Mungesa e informacionit dhe burokracitë në dogana kanë lënë në “tokën e askujt” dhjetra shqiptarë në kufirin shqiptaro-grek. Gazeta “Si” mëson ekskluzivisht se të paktën 60 shtetas shqiptarë janë lënë në pritje nga dogana shqiptare në Kapshticë për orë me radhë, madje një pjesë e mirë e tyre që prej ditës së martë.

Aktualisht, Greqia nuk lejon shtetas të huaj që të hyjnë në territorin e saj, por nuk ka bllokuar daljen e tyre. Pjesa më e madhe e shqiptarëve që kanë mbetur të bllokuar për orë me radhë në temperatura të ulta thonë për gazetën “Si” se kanë udhëtuar me taksi nga zona të ndryshme të Greqisë në drejtim të doganave, duke paguar shuma të konsiderueshme parash pasi është hapur lajmi se autoritetet greke do të mbyllnin pa afat kufijtë edhe në dalje.

Shumica prej tyre janë punëtorë sezonalë, që në Greqi kanë emigruar në fillim të janarit pa viza pune, por duke shfrytëzuar lëvizjen “Schengen” për të punuar në të zezë kryesisht në sezonin e krasitjes së ullinjve. Nga nevoja për krah pune në këtë periudhë autoritetet greke e mbyllin njërin sy dhe nuk e kthejnë mbrapsht këtë pjesë.

Por, masat kundër koronavirusit të ndërmarra nga Greqia i bllokuan këta shtetas shqiptarë, që nga frika e mbylljes totale të kufijve dhe bllokimit pa afat të lëvizjes, kanë shpenzuar pjesën më të madhe të kursimeve nga puna sezonale për t’u rikthyer në atdhe, edhe nga frika e penalizimeve për shkak të shkeljes së afatit 90-ditor.

Vetë pala greke njoftoi përmes një komunikimi të ambasadës në Tiranë ditën e martë se nuk pengon rikthimin në Shqipëri të shtetasve shqiptarë dhe se përmes amendimeve ligjore kishte zgjatur afatet për lejet e qëndrimit, por pa përmendur në asnjë rresht në lidhje me personat që kishin hyrë përmes “Schengen”, duke nënkuptuar se për këtë pjesë mbeten në fuqi penalizimet nëse shkelet afati 90-ditor.

Nëse pala greke i ka lejuar që të kalojnë, emigrantët janë bllokuar nga pala shqiptare. Ata kanë ngritur shqetësimin edhe në media duke kërkuar që të lejohen të kalojnë. Por, me arsyetimin se këta shtetas nuk kishin marrë më parë autorizimet nga konsullata shqiptare në Greqi për të hyrë në Shqipëri, policia kufitare shqiptare refuzoi që t’i lejojë të hyjnë.

“Këtu e morëm vesh që na u dashka autorizim për të hyrë në Shqipëri! Ne na la greku që të kalojmë, pa asnjë kontroll, asnjë gjë. Thjesht vendosën vulat dhe kaq! Këta tanët na kërkojnë autorizime për të hyrë në shtëpi”, thotë një prej emigrantëve të bllokuar për gazetën “Si”.

Një pjesë e tyre kanë shfrytëzuar të afërm, apo kontakte të tjera në Greqi, apo Shqipëri për të siguruar autorizimet nga konsullatat shqiptare dhe vetëm pas kësaj janë lejuar që të hyjnë këtë të enjte.

Gazeta “Si” mëson se numri i atyre që janë lejuar që të hyjnë ka qenë rreth 40-50 vetë, ndërsa të tjerët kanë mbetur po atje…në tokën e askujt. Këtej si lënë shqiptarët, andej s’i lënë grekët.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë