Lajme

Basha publikoi raportin e DASH, Rama: Përkthim i gabuar

Lulzim Basha e shoqëroi reagimin për raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për klimën e biznesit në Shqipëri me linkun që të adresonte tek ky raport në faqen zyrtare të DASH.

Raporti ishte në gjuhën angleze, por mbi të Lulzim Basha bënte interpretimet e tij.

“Qeveria amerikane është institucioni më i fundit që po konfirmon politikën korruptive dhe kriminale të Edi Ramës. Raporti i fundit i Departamentit të Shtetit për klimën e biznesit në botë, thekson së Shqipëria nuk është vend i përshtatshëm për bizneset amerikane për shkak të korrupsionit, mungesës së shtetit ligjor, korrupsionit në PPP dhe prokurime publike e mungesës së konkurrencës”, shkruan Basha.

Mes rreshtave të raportit Basha sheh nota negative për çdo aspekt të klimës së biznesit dhe qeverisjes, por veçon vetëm një fakt.

“Fakti më i rëndë që dëshmon nivelin kriminal të qeverisë Rama në ekonomi është pohimi se investitorëve të huaj Edi Rama u bën shantazh të bashkëpunojnë me klientët e tij ose përndryshe nuk kanë shans të investojnë. Duket se plaçkitja e Shqipërisë dhe shqiptarëve nuk i ka mjaftuar Edi Ramës, ndaj kërkon të grabisë edhe amerikanët, europianët dhe këdo që kërkon të bëjë biznes në Shqipëri’, thotë ai.

Përgjigjen nga Kryeministri Edi Rama e mori disa orë më vonë dhe po përmes rrjeteve sociale. Kreu i qeverisë nuk kursen ironinë dhe e quan përkthim të gabuar raportin e amerikanëve.

“Selia e Përkthimeve të Gabuara e di raportin vjetor të Departamentit të Shtetit për 170 vende, ferman kundër qeverisë. Do luftë kundër korrupsionit e lufton Vetingun! Do pushtetin e thotë kur ishim më keq ishim më mirë! Po do s’do ajo seli, plagët po luftohen sot si kurrë më parë”, thotë Rama.

https://www.facebook.com/edirama.al/posts/10155999853966523

Para këtij reagimi të Ramës ishte ministri i Financave, Arben Ahmetaj ai që doli në një konferencë për mediat. Pasi foli për dobitë e koncesioneve dhe sidomos të atyre sipas skemës partneritet publik-privat i dha të drejtë Departamentit të Shtetit vetëm në një pikë.

“Raporti thekson domosdoshmërinë e klimës së biznesit dhe tërheqjes së invenstimeve të huaja. Në raport ka referenca për korrupsionin në drejtësi. Një nga paragrafët e raportit i referohet korrupsionit në drejtësi si një nga problemet kryesore të prishjes së klimës së të bërit biznes”, tha ai.

Ahmetaj këmbëngul se në Shqipëri PPP-të janë stigmatizuar, por njofton se në shtator qeveria do të ndërhyjë për të ndryshuar ligjin e koncesioneve. Ndryshimet do të prekin pikërisht pjesën më të qortuar nga ndërkombëtarët dhe të akuzuar nga opozita se po shfrytëzohet për të favorizuar oligarkët pranë kabinetit qeveritar.

“Në shtator do të ndërhyjmë dhe do të çojmë në Parlament ndryshimin e ligjit për të hequr propozimet e pakërkuara”, tha Ahmetaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë