Politike

Basha: Pseudopadi e Ramës ndaj Haradinajt na turpëron

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar ndaj padisë që kryeministri Edi Rama ka bërë ndaj kryeministrit Ramush Haradinajt. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Basha e cilëson si akt turpërues.
“‪Pseudo-padia e Edi Ramës ndaj kryeministrit të Kosovës është një perversitet i shëmtuar antikombëtar. Është turp i pakapërdishëm që Ramush Haradinaj, pas gjakut të tij dhe familjes së tij për çlirimin e Kosovës, pas betejave me akuzat e montuara të Beogradit, të përballet me pasojat e degjenerimit dhe vasalitetit të Edi Ramës. Ky akt i ulët që na turpëron të gjithëve meriton refuzimin dhe revoltën legjitime ndaj një kryeministri të dështuar fund e krye dhe ndaj falimentimit të tij politik dhe moral para Shqipërisë dhe mbarë kombit shqiptar”, shprehet Basha.
Mes Haradinajt dhe Ramës pati debate të ashpra sa i përket çështjes së arritjes së marrëveshjeve mes Serbinë për rishikimin e kufijve. Pas kësaj padie reagoi edhe vetë Haradinaj. “Sot është raportuar në media se Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka deponuar padi kundër meje në Gjykatë. Unë, sipas ligjit, do të përgatis përgjigje në padi, në afatet e përcaktuara ligjore! Padia e Kryeministrit Rama është plotësisht e pabazuar dhe një diversion politik që bëhet nga ana e tij, që të fshihet pas dramave mediale dhe t’i ikë përgjegjësisë. Kombi ynë dhe Kosova ka njerëz që i dalin zot në çdo kohë”, shprehet Haradinaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë