Politike

Basha përjashton një takim me Ramën: Rrugëdalja nga kriza kalon nga zgjedhjet e reja

Lulzim Basha këmbëngul se zgjidhja e krizës politike në vend mbërrin vetëm përmes zgjedhjeve të reja të dyfishta, si për deputetë, ashtu edhe për kryetarë bashkishë. Madje, kreu i PD-së mendon se këto të dytat duhet të paraprihen nga një rishikim i hartës administrative dhe i ligjit për decentralizimin.

“Nxjerrja e vendit nga kriza do të vijë përmes zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të mbajtura në një ditë me zgjedhjet legjitime vendore, në kushte që garantojnë lirinë e votës dhe zgjedhje të lira e të ndershme. Mbajtja sa më parë e zgjedhjeve vendore kushtetuese, të cilat, në pikëpamjen time duhet të paraprihen nga një rishikim i reformës territoriale dhe një thellim i decentralizimit në mënyrë që pushteti vendor me të vërtetë t’u takojë qytetarëve dhe jo kryeministrit, apo grupeve kriminale siç është rasti sot dhe siç ka qenë për fat të keq në shumicën e bashkive edhe në 4 vitet që kaluam”, deklaron ai.

Basha foli në një intervistë dhënë për News24, ku përjashtoi një takim të tij me Kryeministrin Rama, të ngjashëm me formatin e 17 majit 2017.

“Vendi nuk ka nevojë për një takim për sy e faqe midis një njeriu që e ka zhytur Shqipërinë në një krizë të thellë dhe opozitës që po kërkon daljen nga kjo krizë. Vendi ka nevojë për rrugëdalje nga kriza, dhe rrugëdalja nga kriza nuk bëhet me shfaqje, por bëhet me zgjedhje të lira e të ndershme, me reformë zgjedhore, me dënimin e atyre që kanë shkatërruar zgjedhjet e 2017, 2015, 2016, tha ai.

Sa u takon zgjedhjeve, Basha propozon ose sistem mazhoritar, ose proporcionalin kombëtar me lista të hapura. Një tjetër ide e rikthyer prej tij, të cilën e vlerëson si qëndrim personal është ulja e numrit të deputetëve në 100 dhe krijimi i një dhome të dytë parlamentare si nevojë për të shmangur kontrollin e pushtetit ekzekutiv ndaj legjislativit.

9 kushtet e Bundestagut gjerman për hapjen e negociatave kreu i PD-së i sheh si një “Jo” inkurajuese vendimin e Berlinit, ndërsa thotë se opozita, përkundër akuzave të mazhorancës ka lobuar tek CDU/CSU për hapjen e negociatave si mekanizëm rritje presioni ndaj qeverisë së Ramës.

Basha foli edhe për reformën në drejtësi. Opozita, deklaroi ai, e mbështet këtë reformë sipas parimeve të Kushtetutës, ndërsa përsëriti akuzën në drejtim të Ramës se e deformoi reformën përmes votimit njëanshmërisht të ligjeve në kuadër të reformës me synim kapjen e sistemit të drejtësisë. “Ne e mbështesim ngritjen e SPAK dhe do ta mbështesim atë më shumë financiarisht”, tha kreu i PD-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë