Politike

Basha: Pas dy muajsh asnjë i arrestuar dhe nuk ka një faturë të dëmeve nga tërmeti

Pas konferencës së organizuar nga kryeministri Rama për prezantimin e platformës së aplikimit online për qytetarët që përfitojnë nga programet e rindërtimit ka reaguar kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Me anë të një postimi në Facebook, Basha shprehet se pas dy muajsh nga tërmeti tragjik që shkaktoi 51 viktima, po dëshmohet se qeveria ka dështuar në çdo detyrë.
“Sot nuk ka ende një faturë reale dëmesh të vlerësuara. Sot nuk ka ende një vlerësim përfundimtar të objekteve të pabanueshme dhe të dëmtuara. Sot ka ende mijëra familje që kalojnë ditët e ftohta nëpër çadra, pa asnjë ndihmë nga shteti. Sot qytetarët vazhdojnë të sorollaten nga njëra zyrë në tjetrën për të marrë bonusin e qerasë. Sot ka mijëra qytetarë të cilët nuk kanë ku të fusin kokën dhe nga dëshpërimi, janë futur në banesat e dëmtuara duke rrezikuar kështu jetën e tyre dhe të fëmijëve”, shkruan Basha.

Image may contain: 2 people, people sitting and indoor
Banorë që jetojnë në çadra të publikuar nga PD


Sipas kreut të opozitës, sot fëmijë e të moshuar janë në gjendje të rënduar shëndetësore për shkak të kushteve të vështira në të cilat po mbijetojnë që prej dëmtimit të shtëpive, ku ende banorët pyesin se çfarë do të bëhet me shtëpitë e tyre, por nuk marrin përgjigje.
“Nëse qeveria do të kishte miratuar paketën ndihmëse për biznesin e dëmtuar, do të kishte nisur rimëkëmbja. Ndërkohë për krimin shtetëror në Thumanë që mori 24 jetë, nuk ka asnjë të arrestuar, asnjë hetim serioz, vetëm heshtje nga prokuroria politike që mbron Dakon dhe Bushin me urdhër të Edi Ramës. Çdo ditë dështimi dhe mashtrimesh, është një ditë vuajtjesh më shumë, një mundësi e humbur për tu ardhur në ndihmë qytetarëve në nevojë dhe për të kontribuar në rimëkëmbjen ekonomike dhe rikthimin në normalitet të jetës së mijëra familjeve. Dhimbja dhe vuajtja e tyre nuk mund të kapërcehen me lugën bosh të një kryeministri të dështuar”, shprehet Basha.

Image may contain: 3 people
Fëmijë që jetojnë në çadra të publikuara nga PD


Duke postuar disa foto të situatës post tërmetit, kryedemokrati shprehet se ende sot nuk ka asnjë masë për të ndihmuar në ringritjen e biznesit në Durrës e në zona të tjera të dëmtuara nga tërmeti dhe se s humë biznese po mbyllen e qindra qytetarë po mbeten pa punë.

Image may contain: indoor

“Rënia ekonomike e Durrësit sjell rënie ekonomike të të gjithë vendit. Sot është e qartë për qytetarët se kjo qeveri dhe ky kryeministër i dështuar prodhon vetëm gënjeshtra dhe korrupsion, gjë të cilën e vërtetoi edhe raporti i Transparency International. Nëse 150 milion dollarët që Edi Rama u jep 10 oligarkëve do të ishin akorduar për qytetarët, sot do të ishin strehuar në banesa me qira çdo qytetar që është lënë në mëshirë të fatit”, thekson kryedemokrati.

Image may contain: sky and outdoor

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë