Marrë shkas nga një investigim i televizionit italian Rai3, sipas të cilit një e treta e territorit të Shqipërisë ishte mbjellë me drogë, Lulzim Basha doli në një konferencë për mediat këtë të enjte, ku tha se dokumentari provon se synimi i Edi Ramës është ta kthejë vendin tonë në një shtet të kapur nga krimi dhe lavatriçe të parave të pista shqiptare e ndërkombëtare.
Kreu i PD-së u zotua se opozita nuk do ta lejojë këtë dhe premtoi se në shtator do të dalë me një plan masash drastik, për hetimin e burimit të parave të veprave publike dhe private të dhëna sipas skemës partneritet publik-privat të qeverisë “Rama”.
Këtu, Basha paralajmëroi edhe kompanitë e huaja, që bashkëpunojnë me kompani, apo qeverinë shqiptare në këto projekte.
“Kushdo, pa asnjë paragjykim, qofshin zyrtarë apo ish-zyrtarë, juristë, ministra apo kryeministër, qofshin shqiptar apo të huaj, si kompanitë daneze dhe italiane të përfshira në afera korruptive nga Teatri Kombëtar tek projekti i kullave do të jenë subjekt i legjislacionit të kontrollit të pasurive të tyre private kudo që ato ndodhen”, deklaroi Basha.
Basha përshkroi një panoramë më shumë se të zymtë në vend dhe për këtë tha se lind nevoja e planeve radikale. Një të tillë e sqaroi.
“Do të shpjegojmë me detaje në shtator planin tonë kombëtar kundër krimit dhe pastrimit të parave, ku prioritet është auditimin dhe hetimi e menjëhershëm pa përjashtim të të gjitha ndërtimeve publike dhe private të mbaruara, në proces apo projekt, ligj për ndalimin e legalizimit në ekonomi të produkteve të krimit, që do të parandalojë pastrimin e parave të krimit në ekonomi”, u shpreh ai.
Kreu i PD-së tha se për këtë program opozita gjen mbështetjene e agjencive ligjzbatuese europiane dhe amerikane.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.