Politike

Basha paralajmëron fermerët: Kujdes Shengenin Ballkanik! Ja ku ndryshoj unë me Ramën

Lulzim Basha e cilësoi bujqësinë si një nga sektorët e ekonomisë shqiptare të dëmtuara më fort nga politikat klienteliste të qeverisjes së Edi Ramës. Në një takim me fermerët në Urën Vajgurore, Basha paralajmëroi se një tjetër goditje e fortë për këtë sektor do të jetë i ashtuquajturi “Shengeni Ballkanik”.

“Për interesa mafioze oligarkie po goditet prodhimi vendas duke i hapur portat prodhimeve të importit. Import-eksporti është lënë në duart e një grushti oligarkësh”, deklaroi ai.

Basha u premtoi fermerëve se nëser në Qeveri, ata do të jenë prioritet, ndërsa duke u ndalur tek subvencionet u zotua për një fond prej të paktën 100 milionë euro në vit për këtë sektor.

“Qeveria e ardhshme nuk do ta shohë bujqësinë si lopë për ta mjelë, por si fëmijë për ta rritur. Nga qeveria e Partisë Demokratime do të ketë 100 milion euro subvencione dhe ky subvencion do shkojë direkt te fermeri”, vijoi kreu i PD.

Duke u ndalur tek shit-blerja e votës, kryedemokrati Basha njohu dy anët e medaljes. Njëra anë është blerja e tyre, tjetra është shitja.

“Ka një qeveri që blen votat, por ka edhe nga ata që i shesin votat. Unë dua t’ju them se sa herë shitet vota, keni shitur veten tuaj, fëmijët tuaj. Unë kam ardhur t’ju them se keni alternativë një parti europiane që punon e mendon për ju”, vijoi ai.

Po në këtë takim, Basha bëri edhe dallimin mes tij edhe Edi Ramës.

“Nëse prisni të dal në duel me Ramën të zgjidh problemet, atëherë nuk kemi arritur asgjë. Unë nuk ju shkrij së qeshuri me batuta, as nuk bëj foto me Ronaldon. Unë punoj e përpiqem për ju. Ngrihuni! Shkoni dhe thyejeni atje në kutinë e votimit”, u shpreh kreu i PD-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë