Lajme

Basha: Nuk do të ketë bashkëqeverisje PS-PD

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një bashkëbisedim me gazetarët, duke folur për situatën në vend nuk i ka kursyer akuzat ndaj qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama dhe bëri të qartë që nuk do të ketë pakt politik me Partinë Socialiste.

Në këtë mënyrë ka shuar zërat që flisnin për një marrëveshje në shtator mes PD-së dhe PS-së për reformën zgjedhore.

“Nuk do ketë pakt politik Rama-Basha. Nuk do ketë bashkëqeverisje PD-PS. Synimi im dhe i PD është t’i japim fund qeverisjes së lidhur me krimin”, theksoi kreu i PD.

Lidhur me seancën plenare e cila pritet të mblidhet ditën e hënë e që do të shënojë edhe nisjen e legjislaturës së re, Basha tha se grupi i PD do të mblidhet paraditen e së hënës, për të diskutuar mbi aksionin politik opozitar, ndërsa një mbledhje është parashikuar të mbahet edhe me partitë aleatë të opozitës, por theksoi Basha pikat do të jenë tre: Shkëputja e lidhjeve të qeverisë me krimin, kriza ekonomike si edhe sistemi i drejtësisë.

Teksa është ndalur te sulmi me kallashnikov ndaj shtëpisë së prindërve të gazetares Klodiana Lala, ai është shprehur se kjo ndodh vetëm “kur krimi ka mbështetje politike”.

Ai e quajti tallje reagimin e kryeministrit për sulmin ndaj gazetares Klodiana Lala, si dhe për të i turpshëm është edhe reagimi i kryeprokurores Arta Marku.

“Dje, u sulmua me automatik shtëpia e gazetares Klodiana Lala. Një sulm i tillë bëhet vetëm kur krimi ka mbështetje politike. I turpshëm dhe i neveritshëm është reagimi i prokurorisë, që duhet të nisë veprimet menjëherë për një hetim gjithëpërfshirës. Tallje është “Twitter”-i i Edi Ramës. Gazetarja kishte denoncuar aferën “Çyrbja”. Përgjimet tregojnë se si deputeti socialist komunikon në telefon me një anëtar të bandës së Emiliano Shullazit, duke iu referuar bandës me “ne”. Sot e kësaj dite nuk ka reaguar prokuroria”, u shpreh kreu i PD-së.

Basha u shpreh se Rama nuk gjen kohë për qytetarët që i adreson në internet, por ulet gju më gju me kriminelët dhe ministrin e Brendshëm.

“Vendi është në krizë të trefishtë: krizë e sigurisë, kushtetuese dhe ekonomike. Kjo verë nuk ka qenë e nxehtë vetëm për shkak të motit, por edhe në kuptimin e vazhdimit të skandaleve që konfirmojnë krizën e trefishtë. Kryeministri qytetarëve u ka ndërtuar një faqe interneti, ndërsa kohën e kalon me kriminelët. Me ta ka akses të drejtpërdrejtë. Ulet gju më gju me ta dhe me ministrin e Brendshëm. Skandalet që plasin njëri pas tjetrit bëjnë që të harrohet skandali i mëparshëm. Prioriteti i PD-së mbetet shkëputja e lidhjeve të krimit me qeverinë. Asgjë nuk ka për të ndryshuar për mirë në këtë vend sa kohë që vendi bashkëqeveriset me krimin”, shtoi Basha.

Po ashtu Basha apeloi kryeministrin Rama të tërheqë ligjin për shembjen e teatrit apo ligjin ‘Fusha’, pasi pasojat do të jenë të paparashikueshme.

“Të tërhiqet menjëherë pa bërë gëk mëk. Shansin ia ka dhënë Presidenti me kthimin e ligjit. E përshëndes personalisht këtu kreun e shtetit. Të tërheq ligjin Fusha, mos t’i shkojë ndërmend ta sjellë në seancë se do të përballet me pasojat më të paparashikueshme”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë