Lajme

Basha nga Vau i Dejës: Politika e pastruar nga krimi u shërben qytetarëve

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha e ka konsideruar vetingun e politikanëve si rrugën e vetme që shpëton vendin nga bashkëqeverisja me krimin. Në takimin me të rinjtë dhe banorët e Vaut të Dejës, Basha vuri në dukje fuqizimin e krimit si mënyrën e vetme të mbajtjes së pushtetit ilegjitim nga Edi Rama.

“Sot jemi para një katastrofe më të madhe: shteti i është dorëzuar totalisht krimit të organizuar. Me Edi Ramën krimi i organizuar ia ka dalë të realizojë atë që s’e ka realizuar në asnjë vend të Europës. Shqipëria është sot në gjendjen e një grushti shteti. Nuk ka një Gjykatë Kushtetuese që është mbrojtësja e lirive dhe të drejtave themelore të qytetarëve.”-tha Basha.

Sipas njoftimit të shpërndarë nga zyra e shtypit të PD-së,  me banorët e Vaut të Dejës, kreu i opozitës shpjegoi se vetingu në politikë vendos të njëjtin standart si për politikanët dhe zyrtarët e tjerë që marrin vendime për jetën e shqiptarëve.

“Nuk ka për të pasur zgjidhje për këtë vend pa larguar krimin nga politika. Dhe që të largojmë krimin nga politika duhet të largojmë politikanët e lidhur me krimin. Pse të pranojmë ne që gjyqtarët, prokurorët, policët dhe gardistët t’i nënshtrohen vettingut dhe të largohen nga detyra me të drejtë, në qoftë se provohet se kanë lidhje kriminale dhe politikanët të mbeten jashtë dhe sipër ligjit? Cili popull pranon që të ketë politikanë që hanë, pinë, bëjnë pazare, bëjnë pushime, shesin e blejnë apartamente, vetura, gjithçka, me kriminelët e dënuar për drogë dhe pastaj marrin vendime sesa do të jenë taksat, sa do të jetë çmimi i naftës dhe çfarë do të bëjnë me pagat e shqiptarëve. Vettingu i politikanëve do të bëhet”, tha Basha.

Në bashkëbisedim me banorët e Vaut të Dejës, Basha thotë se me një politikë të pastruar nga krimi dhe me paketën e re antimafia të opozitës, politika do t’u shërbejë vetëm qytetarëve.

“Çdo kontratë korruptive, kushdo që ta ketë, pavarësisht se si do ta ketë emrin apo mbiemrin e pavarësisht se sa tesera dhe çfarë tesere mban në xhep, do të vendoset para përgjegjësisë ligjore. Ne do t’i marrim të gjitha këto kontrata koncesionare, të cilat kapin në total shifrën 2.2 miliard euro, do t’i shqyrtojmë ato me mekanizmin antimafia, do t’i çojmë drejt anullimit dhe, po me mekanizmin antimafia, do të bëjmë të mundur sekuestrimin, verifikimin dhe konfiskimin e çdo pasurie publike që këta oligarkë dhe zyrtarët publikë që i kanë firmosur kontratat, kanë vënë në kurriz të popullit më të varfër të Europës. Këto para do t’i kthehen të zotit të tyre që janë qytetarët shqiptarë”, u shpreh kryetari i PD-së, Lulzim Basha.

 

Më Shumë