Politike

Basha nga Korça: Zgjedhje të parakohshme, po. Pazar me Edi Ramën, jo!

Kryedemokrati Basha ka zhvilluar një takim me drejtuesit e strukturave të degës së PD të Korçës, nga ku ka theksuar angazhimin e Partisë Demokratike për zgjedhje të lira e të ndershme parlamentare dhe lokale.
“Kërkesat tona janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare në një ditë me zgjedhje legjitime vendore të mbikëqyrura nga një qeveri tranzitore dhe çuarja para drejtësisë e gjithë atyre që kanë vjedhur votat e shqiptarëve”, është shprehur lideri demokrat, i cili theksoi edhe shkeljet kryesore të konstatuara nga raporti i OSBE-ODIHR, që e bënë procesin të pavlefshëm dhe kriminal.
Kryedemokrati u shpreh i sigurt e vendi do të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme.
“Largimi i Edi Ramës si kryeministër është i padiskutueshëm. Hetimi dhe gjykimi i politikanëve të kapur duke vjedhur votat është i padiskutueshëm. Prandaj ne i qëndrojmë deri në fund zgjidhjes politike përmes parimeve dhe jo Pazarit. Nuk ka Pazar me Edi Ramën. Mercenarët dhe të shiturit tek ai dhe oligarkët e tij nuk e përçajnë dot as PD, as Opozitën. Fuqia jonë është bashkimi më i madh popullor në 3 dekada pluralizëm, është shumica 85% ‘Rama ik’”, theksoi Basha.
Kreu i opozitës theksoi se fundi i këtij regjimi do të vijë me zgjedhje të lira. “Askush që ka grabitur miliona dhe dhunuar e vjedhur shqiptarët e pasuritë e tyre publike, asnjë pushtetar që bashkëpunoi me krimin për të vjedhur zgjedhjet e 2017, nga Dako e Gjiknuri, te Balla e Rama nuk do të shpëtojë pa dalë para drejtësisë së pavarur. Pushtetarët e korruptuar në pranga janë fillimi i Shqipërisë si gjithë Europa”, u shpreh ndër të tjera lideri i opozitës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë