Lajme

Basha, nga “Astiri”: Studentët ia prishën rehatinë hajdutëve

Protesta e banorëve të “Astirit” që kundërshtojnë shembjen e banesave të tyre, që preken nga projekti për ndërtimin e “Unazës së Madhe” të Tiranës, ka hyrë sot në ditën e 33-të dhe krah tyre është gjendur kryedemokrati Lulzim Basha.

Kreu i PD dha një deklaratë për mediat, duke akuzuar qeverinë se “do t’i nxjerrë banorët nga shtëpitë në mes të dimrit për një afërë korruptive”.

“Merremi pak me gjërat e rëndësishme shikoni çfarë po ndodh kemi protestën te Unaza që duan t’i nxjerrin nga shtëpitë para dimrit. Kemi protestën në Shkozë që i kanë premtuar me video dhe më zë që nuk do i prishim shtëpitë. Kemi grabitjen te Teatri Kombëtar, ku duan të prishin një vepër arti, për të ndërtuar kulla dhe për të nxjerrë atje 200 milionë euro. Dhe kemi protestën e studenteve që duan të vjedhin vit pas viti tarifa. Çfarë i bashkon këto protesta? Një qeveri që ka vetëm grabitjen. Motivi që i bashkon është vetëm grabitja. Këtu te Unaza e Re ka një aferë të konsiderueshme korruptive”, tha Basha.

Duke u ndalur gjatë te protesta e mijëra studentëve, të cilët bojkotuan sot mësimin në auditore për të “rrethuar” Ministrinë e Arsimit, ku kërkuan anulimin e VKM-së për provimet e mbetura dhe uljen e tarifave të shkollimit, Basha tha se ky tubim “i ka prishur rehatinë hajdutëve”.

“Tani vijmë tek protesta e studentëve. Edi Rama nuk investon për arsimin. Lekët që duhet të shkonin për të arsimuar rininë, shkojnë në vend tjetër. Por ai i mban të rinjtë injorantë. Gjithçka nis nga rinia. Dhe kësaj mund ti kundërvihemi me bashkim. Të rinjtë e kanë kuptuar, do i përshëndes nga zemra. Kanë arritur që të krijojnë një shtangie. I kanë prishur rehatin hajdutëve”, theksoi krydemokrati.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë