Politike

Basha në OKB prezanton rezolutën për Ukrainën: U mbështeta nga anëtarët, agresori duhet të paguajë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha prezantoi rezolutën për Ukrainën në OKB që synon të përcaktojë se konfiskimi i aseteve ruse duhet të vendoset në funksion të rindërtimit të Ukrainës.

Në një video-mesazh, Basha tha se kjo rezolutë pati një mbështetje unanime të përfaqësuesve të vendeve aleate të Ukrainës.

'Në New York kam patur një numër takimesh të rëndësishme mbi iniciativën time, si reporter në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Europës për konfiskimin e aseteve ruse. Dhe këtu pikërisht ka nisur zanafilla e kësaj iniciative me rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme të Nëntorit 2022 dhe Marsit 2023.

Kam biseduar me përfaqësues të ndryshëm të përfaqësive diplomatike të vendeve anëtare, te të cilët kam gjetur një mbështetje të jashtëzakonshme. Kemi patur diskutime në praninë edhe të zyrtarëve të lartë të Ukrainës, të cilët po kështu kanë theksuar domosdoshmërinë për gjetjen e një zgjidhje sa më efikase, që do të transferojë fondet e federatës ruse të ngrira nga vendet anëtare, për t’u përdorur në dobi të Ukrainës, në dobi të rindërtimit të saj dhe të mbështetjes me të gjitha format dhe mënyrat”, tha Basha.

“Mbyllet me lajm të mirë këtu në OKB, në New York, ku në emër edhe të Shqipërisë, pata nderin të paraqesë këtë rezolutë, e cila ka një rregull fare të thjeshtë: Agresori paguan! Vendos një precedent, me anë të të cilit çdo kush që ka synime agresioni kundër fqinjëve të vet, duhet t’i bëjë llogaritë mirë, sepse do të mbahet përgjegjës dhe nga ana financiare për dëmet e shkaktuara dhe për krimet e kryera”, vijoi Basha


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë