Lajme

Ç’po ndodh me “Dëshmitarin X”

Ashtu sic pritej, kreu i PD, Lulzim Basha ka nisur fjalën e tij me tone të ashpra dhe akuza në drejtim të qëverisë, Prokurorisë dhe Policisë. Basha deklaroi se “dëshmitari X” që është pjesë e audio-përgjimit, për të cilin thotë se është Agron Xhafaj, është në presionin e bandave dhe terrorit policor.

“Sot pasuritë e familjes Xhafaj duhej të ishin në hetim. Dje Agron Xhafaj u përcoll me ngut në Itali fshehtas dhe me urgjencë. Edi Rama dhe Fatmir Xhafaj janë të zënë me një punë tjetër, se çfarë do ta marrim vesh shumë shpejt”- deklaroi Basha duke vijuar akuzat ndaj Prokurorisë dhe Policisë:

“Prokuroria duhej të kishte nisur hetimin por policia ka marrë një tjetër urdhër në këto 72 orë. Prej 72 orësh dëshmitari X dhe familja e tij janë nën presionin e tmerrshëm të bandave Xhafaj dhe terrorin policor.

E gjithë policia është vënë pas familjes së dëshmitarit dhe pas vetë dëshmitarit. Prokuroria e ka për detyrë të hapë hetimin. Por kanë bërë terror policor, operacion të gjërë të shtrirë në të gjithë Shqipërinë ndaj dëshmitarit X.

Nëse thonë se audio-përgjimi nuk është i vërtetë pse i janë vënë prapa dëshmitarit X? Çfarë nguti kanë? Pse i janë vënë prapa dëshmitarit X dhe jo bandave që po e terrorizojnë paralelisht me terrorin policior?

Mesa duket ekspertizën e audio-përgjimit Kryeministri e ka bërë në Surrel.

Nga e dinë policia e Xhafës kush është dëshmitari X?

Nga e dinë ata kush është ky në audio-përgjimin që qenka i falsifikuar e manipuluar. Ua thanë Xhafajt, vëllai i madh dhe vëllai i vogël, sepse ata e dinë fare mirë kush është dëshmitari X, sepse gjithçka që është thënë në atë bisedë është e vërtetë, por shteti nuk vepron”- deklaroi Basha nga foltorja e Kuvendit.

Basha akuzoi Kryeprokuroret Marku dhe Prela se nuk veprojnë ndaj situatës së krijuar, duke i quajtur “kamikaze”.

“Agron Xhafaj përmes Fatmir Xhafaj ka emëruar drejtorët e policisë, nga Ardi Veliu në shefat e Vlorës. Fatmir Xhafaj ka vendosur në krye të Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe jo rastësisht u bë ditën kur u bë denoncimi i Xhafajt.

Deri dje ishte Fatmir Xhafaj që mbronte Agron Xhafaj dhe që dje vëllai i tij mafioz mbron Fatmir Xhafajn. Agron Xhafaj nuk duhej të lejohej të largohej. Mos u merrni në progapandën skandaloze që ju ofron Rama- Xhafaj. Sot krimi është shumë më i fortë se shteti dhe nuk kursen askënd. Sot është dita të marrim vendimet e mëdha, që do të ndajnë njëherë e përgjithmonë politikën”- tha Basha.

Kreu i Kuvendit, Ruci ia ndërpreu fjalën Bashës pasi i mbaroi koha, por kreu i PD nuk lëvizi nga foltorja duke transmetuar fjalimin e tij përmes Facebook, pas ndërprerjes së seancës.

 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë