Politike

Basha në Himarë: Sondazhet na nxjerrin forcë fituese

Kreu i Partisë Demokratike vijon turin e takimeve me strukturat e partisë, ku kësaj here ndalesa e parë për zonën e jugut të Shqipërisë ishte ajo në Himarë. Duket si një tur falënderimi i Bashës ndaj atyre që bojkotuan zgjedhjet lokale të 30 qershorit.
“Në praninë e OSBE/ODIHR-it u faktua se ky njeri është i paaftë të organizojë zgjedhje të lira. Në këtë kuadër, përpjekja jonë opozitare jo vetëm që korri një sukses të plotë, por po ashtu bëri një matje shumë më të rëndësishme se çdo sondazh. Të gjitha sondazhet na nxjerrin forcë fituese, e nxjerrin opozitën shumicë qeverisëse, po sondazhi më i rëndësishëm ishte ai i 30 qershorit, ku 85 % e qytetarëve e refuzuan në mënyrë masive regjimin. Kjo është shumica “Rama ik”, u shpreh kryedemokrati në takimin me demokratët e Himarës.

Basha takime në Himarë


Basha tha se kjo bashki është pasqyra më e mirë e problematikës së vendit: grabitje e pronave, hajdutëri e hapur qeveritare, paligjshmëri, shkatërrim i sipërmarrjes së vogël e të mesme, mungesë totale e vizionit për zhvillimin ekonomik, në veçanti në fushën e turizmit apo të shfrytëzimit të detit dhe, mbi të gjitha, mungesën totale të çdo lloj përkujdesjeje ndaj interesit qytetar.
“Interesi publik është i pari që sakrifikohet për interesat e Edi Ramës dhe një grushti njerëzish, me të cilët ka kapur dhe ka mbajtur pushtetin gjithë këto vite” – theksoi Basha, duke vënë dukje rritjen e besimit për PD dhe bashkëpunimin e saj me çdo faktor lokal dhe kombëtar për të sjellë sa më shpejt ndryshimin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë