Politike

Basha në Divjakë: Shteti, një kalçeto korrupsioni

Kryedemokrati Lulzim Basha ka vijuar sot turin “Rrugëtimi për Shqipërinë”, me fermerët e Myzeqesë në Divjakë.
Para fermerëve të kësaj zone, Basha hodhi akuza mbi qeverinë Rama dhe tha se shteti është kthyer në një kalçeto korrupsioni.
“Sot shtetin e keni kundër dhe ju shikon nga xhepi se si t’ju marrë edhe kacidhen e fundit. Shteti nuk është për t’ju ndihmuar. Ky shtet është një kalçeto hajdutërie e korrupsioni. Ky shtet ju sheh vetëm si lopë për t’ju mjelë. Që nga viti 1912, Edi Rama është i vetmi që ka arritur rekordin që Shqipëria të jetë e treta në botë më e korruptuar”, u shpreh ndër të tjera kryedemokrati Basha.

Basha tha se për hesap të krimit Edi Rama do të kapë dhe drejtësinë.
“Për hesap të Rrumëve me shokë që mbushin xhepat e Edi Ramës jemi këtu ku jemi me një parlament të paligjshëm, me një qeveri të paligjshme, me kryetarë bashkish të paligjshëm, me Gjykatë Kushtetuese të paligjshme, me prokurorë të paligjshëm, ku e gjithë struktura shtetërore vepron për të mbushur xhepat e një grushti njerëzish.
Aldo Baret me shokë kanë emëruar të gjithë kupolën në Tiranë dhe Lushnje duke punuar për bandën e Lushnjës sepse edhe pse janë tek 313 punët i kryejnë qe andej, i dëgjuat ambasadorët perëndimorë.
Kanë ngrënë e kanë pirë bashkë. I kanë bërë votat bashkë ndaj nuk flet dot as Edi Rama e as Erjon Braçe, askush tjetër nuk i përmend dot. U dridhet zëri. Sepse janë partnerët e tyre dhe me ta erdhën në pushtet. Ndajnë paratë. Le ta matin veten e tyre pa përkrahjen e krimit dhe ta shohim se sa u vlen lëkura”, u shpreh kryedemokrati.

Sipas liderit demokrat, zgjidhja që paratë të shkojnë te fermeri dhe jo tek oligarkët është që të anulohen koncesionet PPP.

“Zgjidhja është që paratë që shkojnë tek ata oligarkë të kalçetos të shkojnë tek fermeri. Koncesionet dhe PPP-të do të anulohen dhe paratë do të kthehen në shërbim të njerëzve. Për fermerët do të kthehen në një buxhet 100 milion euro për mbështetje direkte për fermerin. Në kushtet e sotme me fat është ai që del fyt e fyt, shumica jeni të zhytur në borxhe dhe merrni borxhe për të larë borxhe. Askush nuk i kupton këto në kalçeton e korrupsionit”, u shpreh Basha.
Basha tha se blegtoria është totalisht e braktisur nga qeveria, ndërsa produktet e tyre mbeten stok për shkak të importit.
“Blegtoria është totalisht e braktisur, duke nxitur më shumë braktisjen e zonave rurale. Fshatrat tona zbrazen që të nxitet importi i produkteve nga jashtë sepse kontrollohet nga 4-5 oligarkë të kalçetos dhe kjo bie në kurrizin tuaj”, ka thënë Basha.
Basha tha se zgjidhja për shqetësimet e tyre do të vijë nga zgjedhje të lira dhe të ndershme.
"Zgjidhja që ne ofrojmë është zgjidhje e përbashkët që buron nga ky bashkëbisedim dhe nga një qeveri e dalë nga vota e lirë e juaj. Nuk do të jetë një qeveri e dalë nga krimi, nga Rrajët që diktojnë sot në qeveri.
Zgjidhja do të vijë nga zgjedhjet e lira e të ndershme. Ne po punojmë që ju të zgjidhni sa më shpejt qeverinë që ju ofron programin që ju mendoni se është më i miri për ju”, përfundoi Basha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë