Lajme

Basha: Ministri të largohet dhe hetohet, shqiptarët s’mund të kalojnë nga droga e Tahirit tek e Xhafajt

Kreu i PD, Lulzim Basha ka kërkuar në emër të opozitës largimin e menjëhershëm të Fatmir Xhafajt nga detyra e ministrit të Brendshëm.

“Shqiptarët nuk mund të kalojnë nga droga e Tahirit tek ajo e Xhafajt” – u shpreh Basha.

Lideri i demokratëve deklaroi se pas fakteve të publikuara ditët e fundit nga PD të gjithë prisnin që Fatmir Xhafaj të dorëhiqej ose shkarkohej, por ai i fshihet përgjegjësisë politike dhe ligjore.

Basha renditi disa fakte të publikuara gjatë ditëve të fundit nga selia blu, në lidhje me vëllanë e ministrit të Brendshëm duke theksuar se Agron Xhafaj qëndron në Shqipëri me identitet të ndryshuar dhe nuk është i dyshuar, por është dënuar me vendim të formës së prerë në Itali me 7.2 vite burg për trafik ndërkombëtar droge dhe grup të strukturuar kriminal.

Basha i bëri apel Prokurorisë që të fillojë një hetim të gjithanshëm ndaj ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj pasi me ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale ai ka mundësuar që vëllai i tij të mos ekstradohet në Itali.

“Të hetohen të gjitha veprimet dhe mosveprimet e Xhafajt si ministër i Brendshëm, pasi Agron Xhafaj nuk ka bërë asnjë ditë burg dhe nën mbrojtjen e të vëllait vazhdon ende aktivitetin kriminal, si një nga kokat e trafikut të drogës” deklaroi Basha nga selia e PD.

Kreu i demokratëve deklaroi se Fatmir Xhafaj duhet në niste vettingun nga vetja e tij, jo nga policia gjithashtu t’i nënshtrohet ligjit të Antimafias bashkë me të vëllanë, Agron Xhafaj.

Mëngjesin e së martës, kreu i PD, Basha zhvilloi takim me aleatët, ku u njoftua strategjia që do të ndiqet nga partitë opozitare. Mësohet se të mërkurën e 16 majit, opozita do të protestojë para Ministrisë së Brendshme, ku do të kërkojë dorëheqjen e ministrit Xhafaj, ndërsa të enjten nuk do të lejojë seancë normale parlamentare, pasi ka paralajmëruar bllokimin e punimeve të Kuvendit.

Më herët, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike është rikthyer në Komisionet parlamentare më një qëllim të vetëm, të kërkojë dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj pas publikimit të audio-përgjimit nga ana e selisë blu.

Në mbledhjen e Komisionit të Medias, kreu i grupit demokrat Edmond Spaho duke iu drejtuar kolegëve socialistë deklaroi “Ministri i Brendshëm duhet të dorëhiqet, prandaj nuk do të ketë punë normale të Parlamentit, as Komisioneve derisa Xhafaj të largohet nga detyra, pavarësisht zhurmës që bëni ju”.

Pas ndërhyrjes se disa deputetëve demokratë, anëtarët socialist të Komisionit, braktisën punën e tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë