Lajme

Basha: Krimi shkatërroi vendin, Prokuroria mbron Shullazin

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ishte i pranishëm sot në Konferencën Ballkanike që organizoi Lidhja Demokratike e Gruas së Shqipërisë në bashkëpunim me Forumin e Gruas së Partive Popullore Europiane.

Në këtë takim ku u diskutuan temat “30 vjet pas. Çfarë e mban Ballkanin jashtë BE? Roli i gruas në Procesin e Integrimit” ishin të pranishme edhe Doris Pack, Presidente e EPP Women si dhe Patrick Voller, Sekretar për marrëdhëniet me jashtë të PPE.

Kryedemokrati Basha ishte folësi kryesor dhe pasi falënderoi dhe mbështeti rolin e grave në fusha të ndryshme, ai u fokusua edhe te problematikat që kanë prekur vendin tonë kohët e fundit, duke nisur nga kriminaliteti e deri te çështja e teatrit.

“290 mijë shqiptarë nuk arrijnë të sigurojnë bukën e gojës. Mungesa e mjeteve financiare për të blerë libra është një problem tjetër i shtuar. Nënat i përcjellin në shkollë fëmijët  me frikë. Shqiptarët kryesojnë vendet e botës për përdorim kokaine, pasi 2.5 për qind e popullsisë e konsumojnë. Mund të na akuzoni se kemi folur para kohe, por s’mund të na akuzoni, sepse kemi qëlluar në shenjë”, u shpreh Basha.

Basha nuk la pa përmendur edhe çështjen e Teatrit, pasi ligji që votoi dje mazhoranca i hapi rrugë shembjes së Teatrit Kombëtar.

“Dje Kuvendi kaloi me ligj vjedhjen e pronës publike dhe vendosi pro një kompanie. Parlamenti ka një preokupim, të pastrojë paratë e drogës dhe krimit. Kuvendi i Shqipërisë ka ndërmarrë vetëm dy hapa; bixhozit i uli taksat dhe legjitimoi me ligj pastrimin e parave të pista”, tha ndër të tjera Basha.

Ai akuzoi edhe kryeprokuroren Arta Marku se po tenton të lirojë Emiljano Shullazin.

“Shërbëtorja e Ramës dje me një të rënë të lapsit la pa prokurorë çështjen e Tahirit dhe Shullazit. Sot prokuroria po mbron Saimir Tahirin, Xhafajn, po bëhet gati lirimi i Shullazit. U lirua Ermal Hoxha,sepse nuk nxori emrin e Olsi Ramës. Krimi ka marrë dhenë, sepse ka bekimin e Ramës dhe Xhafës”, tha ai.

 

Më Shumë