Lajme

Basha: Krimi i siguroi Ramës 15 mandate, Teatri vija e kuqe

Kreu i PD-së, Lulzim Basha, në daljen e sotme nga selia blu ka vijuar sërish akuzat ndaj qeverisë Rama. Kryedemokrati Basha u shpreh se Rama erdhi në pushtet me ndihmën e votave të krimit. Ai renditi bandat në qytete, që sipas tij i dhanë Ramës fitoren në 2017, duke i siguruar 10-15 mandate.

“Kriminelët e Fushë Krujës grabitën vota për Edi Ramë në zgjedhjet e 2017, nën drejtimin direkt të deputetit Rrahman Rraja. Vetë djali i Rrajës u hetua për blerje votash dhe për kërcënim ndaj votuesve, por hetimet ndaj tij u mbyllën. Grupi Rraja ka qenë i vetmi shtab elektoral i PS-së në Krujë aq sa Rraja i vogël ndihet oponenti ynë zgjedhor dhe sfidon opozitën në zgjedhje, duke provuar hapur se konkurruesi ynë zgjedhor nuk janë socialistët, por janë kriminelët e rekrutuar nga Edi Rama.

Përgjimet kane nxjerrë në dritë faktin se kriminelët e grupit të rrezikshëm Avdylaj kanë punuar për grabitjen e votave për llogari të PS, Vangjush Dakos dhe deputetëve të Edi Ramës. Bashkë me Ramën, në pushtet erdhën edhe Avdylajt, ndaj ky grup kriminal u fuqizua në një grup të rrezikshëm ndërkombëtar të drogës.

Në përgjimet e Lezhës është e njejta gjë, Ndokat kanë qenë bandë elektorale e PS-së.

Në Kavajë del qartë se Elvis Roshi ka bërë të njejtën gjë, së bashku me Gent Dajën. Madje aty krimi dhe pushteti edhe formalisht u shkrinë në një në personin e Elvis Roshit.

Në Elbasan Qazim Sejdini ka bërë të njejtën gjë, trafikantët e drogës dhe pushteti i tij janë një,

Njësoj në Dibër, Prokuroria ka një dosje tjetër ku hetohet për vjedhjen e votave në Dibër ku është përfshirë Ulsi Manja, Damian Gjiknuri, Saimir Tahiri.

Sot mund të themi me siguri se krimi i ka siguruar Edi Ramës të paktën 10-15 deputetë përmes kërcënimit, grabitjes dhe blerjes së votës”, u shpreh Basha.

Basha gjithashtu tha se Teatri Kombëtar vazhdon të jetë vija e kuqe. Ai u shpreh se opozita do të jetë krah qytetarëve për të kundërshtuar prishjen e teatrit.

“Unë, PD dhe opozita e bashkuar e konsiderojmë këtë ligj jo vetëm antikushtetues, por provën e qartë se si shteti, në këtë moment parlamenti ka marrë krahun e grabitësve të pronës dhe kriminelëve që do pastrojnë paratë e pista të drogës.

Përballë nuk kanë vetëm opozitën, vetëm ata artistë artdashës, intelektualë, por përballë kanë dhe do të kenë të gjithë njerëzit. Ky është momenti ku ka ardhur vendi. Kemi në një anë interesin publik, nga ana tjetër kemi interesat kriminale që përfaqësohen nga oligarkët, nga bandat e trafikut të drogës dhe deputetët e Ramës në parlament, një pjesë e mirë e tyre të ardhur me votat e kriminelëve dhe jo me votat e qytetarëve.

Si ka mundësi që shteti me miliarda euro buxhet nuk paska para për teatër?! Kjo është një aferë korruptive dhe kriminale. Kështu e ka kapur për fyti shtetin, për të mbrojtur interesat, paratë dhe pushtetin e tij. Sot ky është në pushtet vetëm për t'u shërbyer atyre.

Qëndrimi jonë është i qartë, ne do të kundërshtojmë në krah të qytetarëve dhe artistëve dhe pa dyshim teatri është vija e kuqe”, tha ndër të tjera Basha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë