Politike

Basha thirrje PPE: Na ndihmoni të realizojmë vizionin tonë

Pasi bëri një rezyme të zymtë të gjendjes në të cilën ndodhet sot Shqipëria dhe pasi theksoi se pavarësisht vështirësive shqiptarët mbeten populli më pro BE, Lulzim Basha kërkoi mbështetjen e Partive Popullore Europiane për të realizuar aspiratën e integrimit në Bashkimin Europian.

“Edhe pse qeveria aktuale dështoi në përmbushjen e këtij vizioni, është jetike që ju të jeni të vetëdijshëm se ka një anë tjetër të medaljes. Ajo për të cilën ne po luftojmë në Shqipëri është një transformim rrënjësor, në të njëjtë linjë me shpirtin dhe synimet e shqiptarëve. Ne jo vetëm që kemi bindjen se duhet ta reformojmë vendin tonë që të ecim përpara, por ne besojmë se reformat duhet të jenë të modelit europian, me standarde europiane. Kjo nuk do të ndodhë brenda natës dhe pa dyshim jo nën drejtimin e qeverisë aktuale”, deklaroi Basha në fjalën e tij,

Kreu i PD tha se përvoja i ka mësuar se bashkëpunimi dhe reformat janë garante të suksesit. Por, për të patur si të parën, ashtu edhe të dytën kërkoi ndihmë.

“Për të përmbushur vizionin tonë, ne duhet të punojmë së bashku. Shqipëria sot gjendet në një udhëkryq. Ne nuk mundet të përballojmë çmimin e lartë të katër vite të tjera si këto që lamë pas. Shqipëria meriton një të ardhme më të mirë. Shqipëria meriton një të ardhme Europiane dhe me mbështetjen tuaj, kjo është ekzaktësisht ajo që ne do të arrijmë”, u shpreh kreu i PD.

Ndërkohë, në këtë Kongres Donald Tusk u zgjodh si Presidenti i ri i Partive Popullore Europiane. Ish-Presidenti i Këshillit Europian do të drejtojë grupimin e së djathtës.

Tusk mori bekimin e Manfred Weber, Presidenti i grupit parlamentar të PPE-së.

“Urime të përzemërta Donald Tusk për zgjedhjen si Presidenti i ri i Partisë Popullore Europian. Një kristian-demokrat i vërtetë dhe një europian i palëkundur, ai është njeri i duhur për të drejtuar familjen tonë politike. Grupi parlamentar i PPE në Parlamentin Europian mezi pret që të vazhdojmë të punojmë për të forcuar PPE dhe të mbrojë interesat e qytetarëve europianë”, shkruan Weber.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë