Lajme

Basha: Jo vetëm vetting, aksion të fuqishëm politik

Ditën e djeshme Partia Demokratike nga Elbasani, për të shkëputur fijet që lidhin krimin me politikën, ka propozuar vetting edhe për politikanët, duke besuar  se zbatimi i tij së pari dekriminalizon plotësisht qeverisjen dhe politikën, lufton me tolerancë zero korrupsionin dhe krimin si dhe ndalon aleancat mes politikanëve dhe grupeve kriminale.

Kryedemokrati Lulzim Basha sot në një bashkëbisedim me gazetarët nga selia blu është shprehur se e vetmja rrugë për të pastruar politikën nga krimi është vetëm vettingu i saj.

Madje, ai është shprehur se vetëm vettingu nuk mjafton, duke paralajmëruar kështu një aksion të fuqishëm politik.

“Së bashku me vettingun është i nevojshëm edhe një aksion popullor. Opozita është pro pastrimit të drejtësisë dhe politikës nga krimi. Ligji që sapo kemi dorëzuar në Kuvend ka për qëllim që ministri i Brendshëm, ai i Drejtësisë por edhe kryeministri të mos ketë lidhje me krimin. PD dhe shqiptarët kanë shpenzuar shumë energji këto 5 vite për të luftuar kriminelët që futi në politikë Edi Rama. Na është dashur të kohë dhe energji për të larguar kriminelët e Ramës dhe akuzat tona janë vërtetuar. Shqipëria qeveriset nga bandat dhe bosët e krimit të organizuar, qeveria ka rënë. Nuk mjafton vetëm vettingu i poltikanëve, por edhe një aksion i fuqishëm popullor janë të domosdoshme”, tha Basha.

Sipas propozimit të demokratëve në procesin e rivlerësimit përfshihen deputetët e Kuvendit, anëtarët e Këshillit të Ministrave, krerët e institucioneve kushtetuese dhe kryebashkiakët e vendit. Pra, praktikisht të gjithë zyrtarët e zgjedhur me votë popullore. Basha sfidoi Ramën me votimin në Kuvend.

“Ne do e votojmë pro. Opozita ka marrë një vendim në Elbasan për ta votuar pro. Ramën pyeteni nëse do e votojë pro, ose jo. Ai ka për detyrë ta sjellë në seancë për votim”, tha kreu i PD.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë