Politike

Basha i kërkon Ramës 5 pika të rimëkëmbjes deri në mars, në prill janë zgjedhjet

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, prezantoi planin me 5 pika të rimëkëmbjes, që duhet të ndjekë qeveria në këtë kohë pandemie. Basha tha se efekti total është afro 312 milionë euro, (ose 2.45% e PBB) nga tetori e deri në mars, një periudhë kjo që vlen për diskutim, sa kohë që në prill të vitit të ardhshëm do të kemi zgjedhje.    

“1. Mbështetje dhe përgatitje e sistemit shëndetësor: Përgatitja për një shpërthim tjetër të infeksionit të COVID-19, duke:

a)Rritur numrin e testimeve për COVID në 2500 testime në ditë.

b)Rimbursim i plotë për marrjen e mjekimit ambulator kundër COVID.

c) Sigurimin e pajisjeve mbrojtëse për të gjithë personelin shëndetësor dhe rritjen e kapaciteteve spitalore.

d) Bonus 1000 Euro për çdo mjek dhe 500 euro për çdo infermier për 6 muajt e ardhshëm.

Pika e dytë e planit; Të garantojmë që fëmijët dhe mësuesit në shkollë të jenë të sigurt, duke:

a)Përmirësuar kushtet sanitare në shkolla duke përfshirë furnizimin me ujë, pajisjen me maska mbrojtëse dhe dezinfektimin e rregullt të ambienteve mësimore.

b) Kryer testimin periodik për mësuesit dhe stafin ndihmës.

c) Investuar në teknologji për rastet kur mund të aplikohet mësimi në distancë, përfshirë ndihmën për familjet me të ardhura të ulëta për të blerë tableta për fëmijët e tyre, në mënyrë që edhe ata të përfitojnë nga mësimi në distancë”, citoi Basha.

Basha propozon mbështetje gjithashtu për ata që kanë humbur vendin e punës.

 “a)Të mbështesim ata që kanë humbur vendin e punës. Çdo individ që ka humbur vendin e punës nga pandemia gjatë këtij viti, të përfitojë një çek mujor prej 16 mijë lekë të reja në muaj, përveç pagesës ligjore për papunësinë, për një periudhë prej 6 muajsh.

b)Krijimi i një Fondi të Punësimit për të mbështetur bizneset për të rimarrë në punë të larguarit gjatë pandemisë, duke i alokuar çdo punëdhënësi që rimerr në punë një individ që ka humbur vendin e punës prej pandemisë, një shumë mujore prej 20 mijë lekë të reja në muaj për një periudhe prej 6 muaj. 

c)Dyfishimi i ndihmës ekonomike për çdo familje që trajtohet me ndihmë ekonomike.

d)Çdo pensionist të përfitojë një çek mujor prej 2 mijë lekë të reja në muaj për përballimin e kostove shtesë të pandemisë, për 6 muaj”, tha ai.

Ndihmë direkte edhe për biznesin e vogël.

“Mbështetje e drejtpërdrejtë për të gjitha bizneset e vogla të prekura nga pandemia. Çek prej 1000 euro për çdo biznes të vogël aktiv. Mbështetje për biznesin prodhues dhe punëdhënësit e mëdhenj:

a)Për 6 muajt e ardhshëm, subvencionim i 50% të qirasë për ambientet e punës ose heqje e taksës së pronës për bizneset pronare të ambienteve të punës.

b)Shtrirja në kohë dhe rikonceptimi i kritereve të përfitimit nga të dy skemat e garancisë sovrane, për ta bërë më të aksesueshme dhe të përballueshme kredimarrjen nga biznesi. Përcaktimi i një tavani prej 2% të normës së interesit për biznesin, duke subvencionuar çdo përqindje mbi këtë vlerë në kredimarrjen për investime dhe shpenzime operative”, tha Basha.

Por, ku do të gjenden paratë?

"Të anullohet Milot-Fieri, të anullohet projekti për ta ndërtuar me 5-fish koston rrugën Korçë –Leskovik, të anullohen dhjetëra shpenzime të marra në kohë pandemie, që ka një dhe vetëm një qëllim, të mbushin xhepat e qeveritarëve të korruptuar dhe të gjitha këto para dalin dhe mjaftojnë për paketën që ne propozojmë që, siç ju thashë, kushton 52 milionë euro në muaj, për të gjithë zërat", u përgjigj Basha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë