Politike

Basha: Gjykata Kushtetuese, grusht institucional

Lulzim Basha vazhdon takimet në kuadër të turit “Rrugëtimi për Shqipërinë”. Në ndalesën e radhës, që ishte takimi me operatorët turistikë në këtë qytet, kryefjala e kreut të Partisë Demokratike ishte shpalosja e premtimeve dhe programit të opozitës për të lehtësuar biznesin dhe sipërmarrjen.

Por, zhvillimet në lidhje me anëtarët e Gjykatës Kushtetuese në Tiranë tërhoqën vëmendjen e Lulzim Bashës. Ai foli për grusht institucional.

“Edi Rama ka vetëm një qëllim, ose ta kapë ose ta bllokojë reformën në drejtësi. Kjo që po ndodh me Gjykatën Kushtetuese, është grusht institucional. Një Gjykatë e kapur, një drejtësi e kapur i shërben qeverisë dhe një grushti oligarkësh dhe jo ju”, deklaroi ai.

Basha akuzoi Qeverinë e Kryeministrit Edi Rama se nuk u ofron shpresë shqiptarëve.

“Mungesa e shpresës vjen prej mungesës së kësaj qeveri për të ofruar shpresë. Ndryshe nga këta, ne ofrojmë çlirim të biznesit, duke luftuar korrupsionin. Për biznesin e vogël do të ketë vetëm një taksë 0.5 % jo dhjetë taksa dhe eleminimin e taksës Rama për karburantin”, premtoi ai.

Mes premtimeve është edhe rritja e pagës minimale në 300 euro. Ndikimi i parë pozitiv i këtij vendimi, sipas Bashës, do të jetë rritja e fuqisë blerëse dhe konsumit, duke gjallëruar ekonominë.

“Ju duhet një qeveri që t’ju ndihmojë duke ju lënë që të punoni dhe aty ku ka nevojë duke ndërtuar infrastrukturën që do t’ju ndihmojë të punoni në biznesin tuaj”, u shpreh Basha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë