Paralajmërimi për të gjitha kompanitë dhe bashkëpunëtorët e tyre në projekte, që për Partinë Demokratike janë korruptive sipas skemës PPP (partneritet publik-privat) ishte kryefjala e bashkëbisedimit të Lulzim Bashës me gazetarët këtë të premte.
Basha e nisi duke zbërthyer, sipas tij, skemën korruptive të Edi Ramës. Kreu i PD-së tha se ajo është njësoj në të gjithë tenderat dhe koncesionet që firmos kjo qeveri. Si shembull solli Teatrin Kombëtar, rrugët Milot-Balldre dhe Orikum-Dukat, si dhe koncesionin për fiskalizimin. E përbashkëta që vëren kryedemokrati në të gjithë këto koncesione është fryrja e artificiale e shifrave, por jo pa qëllim.
“Fry koston e projekteve publike, merr mbrapsht nga klienti paratë mbi koston. Në anglisht këto skema quhen kick-back. Të gjitha koncesionet e Ramës janë të tilla. Fry koston deri në disa herë, jepua tenderin klientëve dhe pastaj ndaj me klientët paratë mbi kosto”, deklaroi Basha.
Kreu i opozitës thotë se kjo shpjegon se përsë në Shqipëri rrugët ndërtohen me një vlerë disa herë më të lartë edhe se në vendet e Europës Perëndimore. Basha solli rastet e shifrave të fryra, ku sipas tij bëhet fjalë për miliona euro.
“Kjo shpjegon se pse 600 metra bulevard nga Sheshi Skënderbej tek Stacioni i Trenit do t’u kushtojë shqiptarëve mbi 5 milionë euro, kur nuk bën më shumë se 1 milionë euro. 4 milionë euro do të ndahet mes Fushës dhe Edi Ramës. Kjo shpjegon pse rruga Milot-Balldre, vetëm 17 kilometra do t’u kushtojë shqiptarëve 250 milionë euro. Presidenti i Republikës e ktheu ligjin e këtij koncesioni, një vendim që e përshëndes, duke zbuluar sesi sipas vetë burimeve zyrtare kosto u rrit artificialisht me mbi 50 milionë euro, ndërkohë që rritja faktike e kostos është afro 150 milionë euro, pra 3-fish. Kjo shpjegon se përse Orikum-Dukat do t’u kushtojë shqiptarëve 70 mln euro, 50 mln euro më shumë se kostoja. Ky është Kick-back, përfitimi që do të ndajë Edi Rama me oligarkun. Studimi i fizibiliteti të vetë qeverisë ka treguar se në fakt kostoja e rrugës Thumanë – Kashar është fryrë me 100 milionë euro. Në fakt është mbi 220 milionë euro. Ky është rryshfeti i Thumanë-Kashar”, vijoi ai.
Pasi përsëriti se Partia Demokratike ka një program të detajuar sesi do të zbërthejë këto afera, sipas opozitës korruptive dhe do të çojë para drejtësisë përgjegjësit dhe bashkëpunëtorët në to, Basha tha se me fillimin e shtatorit do të padisë në prokurorinë shqiptare dhe atë daneze arkitektin e Teatrit të ri Kombëtar, Bjarke Ingels.
“Brenda javës së parë të shtatorit, opozita do të padisë në prokurorinë shqiptare dhe në atë daneze, arkitektin danez të Teatrit Kombëtar Bjarke Ingels dhe kompaninë e tij BIG. Po bëhen përgatitje për të bërë të njëjtat hapa, me mundësitë që kemi në opozitë, kur të jemi në qeveri, do të kemi të tjera mundësi, edhe përsa i përket mafiozëve kroatë të Ramës me kasat fiskale. Gjithashtu, i njëjti veprim do të bëhet edhe përsa i përket një tjetër shkatërrimi i një tjetër vepre, nëpërmjet mikut të Edi Ramës, Casamonti, që mesa duket do të marrë përsipër veprën korruptive tek Akademia e Arteve”, tha Basha.
PPP-të për Teatrin, Orikum-Dukat dhe Milot-Balldre kaluan përmes Kuvendit. Basha e ndau grupin e ligjvënësve që kanë votuar pro këto projekte në dy kategori, “dele” dhe “bashkëfajtorë”.
“Parlament delesh, flas për ata që nuk e kanë inteligjencën që të kuptojnë se po votojnë një vjedhje, ndërsa për të tjerët, ata janë bashkëfajtorë”, u shpreh ai.
Basha mohoi se mes partive opozitare ka nisur një përçarje, që me qëndrimin e mbajtur për 13 tetorin.
“13 tetori është e vetmja datë kushtetuese e zgjedhjeve në Shqipëri. KQZ dhe të gjitha institucionet e tjera duhet të zbatonin dekretin e presidentit. Moszbatimi i ngarkon ato me përgjegjësi ligjore dhe penale”, deklaroi kreu i PD-së.
Edhe këtu, kryedemokrati pati një paralajmërim për ata që nuk respektuan Kushtetutën dhe ligjin duke mos zbatuar dekretin e Presidenitt.
“Të gjithë do të vihen përballë përgjegjësisë ligjore dhe penale. Zgjidhja mund të vonojë, por nuk do të mungojë momenti, kur ata do të vihen përpara përgjegjësisë ligjore dhe penale. Por duhet të dallojmë të drejtën e partive politike për të mbajtur qendrimet e tyre politike në raport me çdo proces dhe shtetin e së drejtës, detyrimet kushtetuese dhe ligjore të KQZ dhe institucioenve të tjera. Vendimet partiake për të hyrë apo jo në zgjedhje janë vendime partiake. Vendimet për të hyrë apo jo nuk shkelin as kushtetutën e as ligjin, pavarësisht prej ndikimeve që ai mund të ketë. Kur institucionet kushteutese shkelin kushtetutën dhe ligjin, ata duhet të mbajnë përgjegjësi”, u shpreh Basha.
Presidenti Ilir Meta ka kërkuar pjesëmarrjen në zgjedhje edhe me Edi Ramën Kryeministër, ndërkohë që Lulzim Basha dhe Partia Demokratike këmbëngul se zgjedhje me Edi Ramën Kryeministër nuk mund të bëhet. Por, në thelb kreu i PD-së vlerëson se qëndrimi i Presidentit Meta është i njëjtë me qëndrimin e Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj.
“Thelbi i qendrimit të presidentit është i njëjtë me qendrimin e Partisë Demokratike dhe aleatëve tanë, që ne kërkojmë të vijmë në pushtet me zgjedhje. Qendrimi ynë ndaj zgjedhjeve të organizuara nga Edi Rama ka qenë i qartë, transparent, i argumentuar dhe tashmë i faktuar”, u shpreh ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.