Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha duke inspektuar zonat e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit, u ndal në Durrës, duke u takuar me banorët që jetojnë në kushte tejet të vështira. Për opozitën, mungesa e seriozitetit për vlerësimin e sigurisë së banesave të dëmtuara pas tërmetit është kthyer një nga shqetësimet kryesore në javën e tretë pas tërmetit. Disa banorë në Qerret të Katundit të Ri i treguan kryetarit të PD, Lulzim Basha, rastin e një akt eskpertimi të një shtëpie të verifikuar tre herë me rezultate të ndryshme. Për të shmangur marrjen e bonusit të qirasë, herën e tretë shtëpia ishte nxjerrë e banueshme, megjithëse pamjet tregojnë se mbahet në këmbë nga një shufër hekuri vertikale, e vendosur në kulmin e saj. I zoti i shtëpisë shprehu shqetësimin për sigurinë e jetës, pasi akt ekspertimi nuk kishte lidhje me gjendjen e vërtetë të shtëpisë së tij. “Shiko si e kanë bërë.- tha banori duke lexuar akt ekspertimin- Tjegull tulle. A ka tjegull kjo? Kjo është vetëm me soletë. Nuk e di se çfarë kanë qenë ata ekspertë! A kanë qenë çobanë delesh”.
Edhe në një shtëpi tjetër ka ndodhur një fenomen i ngjashëm. Për të mos u dhënë banorëve me shtëpi të dëmtuar rëndë bonusin e qirasë, shtëpia është shpallur e banueshme, pasi ishte verifikuar e pabanueshme më 21 Shtator dhe 26 Nëntor. Banorët ngritën shqetësimin se nuk u është dhënë asnjë akt ekspertimi zyrtar që verifikon gjendjen e sigurisë së shtëpisë, gjë që për kreun e opozitës përbën një akt të papranueshëm dhe të dënueshëm penalisht.
“Më e rënda nga të gjitha, është se në këtë gjendje ku është kjo shtëpia ju thonë të futeni brenda, por letrën nuk jua jep. Me një lëkundje kjo bie dhe ju zë brenda, siç ndodhi në Thumanë. Përfaqësuesit e bashkisë apo qeverisë nuk jua japin as me letër dhe thonë se u futën vetë brenda. Kjo është kriminale. Kjo është t’i vrasësh banorët. Ata që i kanë shpëtuar tërmetit t’i vrasë shteti. Kjo është! Gjëja e parë, ju në asnjë mënyrë nuk do të futeni brenda pa marrë një letër nga shteti. Dhe po morët letër nga shteti, do të vijnë ta vërtetojnë me specialistë, jo me nëpunës. Të vijë inxhinieri dhe ta firmosë. Sepse nuk ka inxhinier ta firmosë shtëpinë në këtë gjendje. Inxhinieri që firmos se kjo është e banueshme, shkon në burg. Dhe njerëzit që ju thonë futuni se është e banueshme, pa firmë, edhe ata do të shkojnë në burg. Edhe ata që ju thonë dhe i mësojnë që t’u thonë banorëve futuni në banesa të shkatërruara, edhe ata duhet të shkojnë në burg, nga i pari tek i fundit”- iu drejtua Basha, banorëve.
PD: Bonusi i qirave për militantët
Partia Demokratike me anë të një deklarate për median akuzoi bashkinë e Durrësit për abuzime për ndarjen e fondit të bonusit të qirasë për banorët që kanë pësuar dëmtimeve të shtëpive të tyre pas tërmetit të 26 nëntorit. Në media, sipas PD-së, janë publikuar shpesh herë akuzat e banorëve të Durrësit dhe zonave përreth, më të goditura nga tërmeti, se qeveria po i diskriminon ata banorë që njihen si kundërshtarë politikë, duke favorizuar deri në abuzim militantët e saj.
“Një rast i tillë është provuar me Manzën, si një nga zonat më të goditura nga tërmeti, por shumë banorë vazhdojnë të flenë në çadra, ndërsa drejtuesit socialistë zhvasin bonuset e qerasë që nuk u takojnë. Për Manzën janë dhënë 7 bonuse qeraje, 3 prej të cilave janë për familjen e Kryetarit të Partisë Socialiste të fshatit Radë, Armand Basha. Ai është njëkohësisht shpërndarës i ndihmave në Manzë dhe pronar i firmës së ndërtimit “Armandi shpk.”. Siç tregon dokumenti, bonus qiraje ka përfituar edhe babai i Kryetarit të PS, Hysni Basha, edhe ky ndërtues dhe gjyshi i Kryetarit të PS, Murat Basha. Të tre këta jetojnë në një shtëpi, por paratë për qiranë e kanë marrë sikur të jetonin të ndarë për arsyen e vetme se drejtojnë Partinë Socialiste në zonën e Manzës”, thuhet në reagimin e PD-së.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.