Politike

Basha: Emergjencë edhe në Kavajë, Shijak e Vorë! Kujdes me ndihmat

Lulzim Basha vizitoi qytetet e Kavajës dhe të Shijakut, ku kërkoi vëmendjen e strukturave shtetërore, pasi siç, tha qindra familje janë në qiell të hapur që prej tërmetit të së martës.

“Nata e katërt që flenë nëpër makina, një pjesë janë vendosur tek të afërmit. Banorët kërkojnë vëmendje më të madhe. Përveç inspektimit të parë ditën e martë nuk ka një vendim të prerë dhe një orientim se çfarë do të ndodhë me banorët. U bëj thirrje autoriteteve, edhe Shijaku është pjesë e gjendjes së emergjencës dhe këtu duhet të ketë një prani të shtuar dhe të mirëorganizuar. Janë me qindra familje që janë jashtë banesave të tyre”, deklaroi ai.

Basha e vlerësoi të pamjaftueshme sasinë e ndihmave që kanë marrë banorët e Shijakut dhe thotë se nga dëshmitë e qytetarëve është vënë re diferencim në ndarjen e tyre.

“Sasia e ndihmave që kanë mbërritur këtu është shumë e vogël. Ata kanë nevojë për gjithçka. Durrësi dhe Thumana me të drejtë kanë marrë vëmendje të madhe. Por, Kurbini, Shijaku, Kavaja… bëhet fjalë për qindra mijëra qytetarë që kanë nevojë për ndihmë. Banorët thonë që nuk kemi mjaftueshëm ndihma dhe janë ankuar për diferencim, ku një pjesë nuk ka marrë asnjë ndihmë, një pjesë kanë marrë ndihma”, u shpreh ai.

Kreu i PD-së deklaroi se edhe Kavaja dhe Vora kanë pësuar dëmtime serioze. Në Vorë, thotë ai, banesat e qindra familjeve janë të dëmtuara dhe të pabanueshme dhe shumë prej tyre kanë nevojë për ndihma dhe për ushqime.

“Në Kavajë me dhjetëra objekte janë të pabanueshme. Prej katër ditësh po presin ekspertet të vlerësojnë gjendjen e objekteve të banimit, ndërsa netët i kalojnë nëpër makina, pa mundur të marrin as rrobat e trupit nga frika se pallatet mund të shemben”, deklaron Basha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë