Politike

Basha: Do rishikojmë gjithë paketën e taksave

Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, premtoi këtë fundjavë se Partia Demokratike do të rishikojë të gjithë paketën e taksave aktuale me qëllim lehtësimin e procedurave bizneseve dhe investitorëve vendas dhe të huaj.

Në një postim të shkurtër në Facebook, Basha shkruan se tasa e sheshte 9% do të jetë baza për një ekonomi të shëndetshme.

“Gjatë këtyre ditëve kam marrë mesazhe të shumta për paketën fiskale të programit tonë ekonomik prezantuar së fundi publikut. Prej tyre kuptova edhe më mirë nevojën e madhe që kanë punonjësit, inxhinierët, ekonomistët, mjekët, avokatët, profesionistët dhe sipërmarrësit për masa dhe lehtësi fiskale, që ju bëhen krah në këto kohë të vështira.

Taksa e sheshtë 9% është një rrugë përmes së cilës ne do të konsolidojmë shtresën e mesme të shoqërisë. Ajo është shtylla kurrizore e një ekonomie të shëndetshme dhe të qëndrueshme në qytet dhe fshat. Kjo është vetëm një nga mënyrat se si do të fuqizojmë të gjithë ata që punojnë. Puna dhe mundi juaj nuk duhet të mbitaksohen. Përkundrazi, sa më shumë para në xhepat tuaja, aq më mirë për ekonominë tonë. Këto 7 vite, qeveria Rama ka rritur taksat më shumë se çdo qeveri tjetër më parë, duke i keqmenaxhuar dhe shpërdoruar ato si asnjëherë më parë”, shkruan ai.

Sipas tij, Shqipëria ka nevojë për frymëmarrje dhe  shqiptarët duan mbështetje dhe lehtësi fiskale.

“Qëllimi ynë është që të kemi një shoqëri të qëndrueshme, me një shtresë të mesme solide në zemër të saj dhe me institucione që ju shërbejnë qytetarëve dhe jo partive. Bashkë do ta largojmë të keqen dhe do sjellim ndryshimin që duan të gjithë!”, shkruan Basha


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë