Kryedemokrati Lulzim Basha ka takuar bizneset e prekura nga tërmeti dhe ka deklaruar se biznesi duhet të përfitojë lehtësira nga qeveria.
Basha ka propozuar një plan me 5 pika, që sipas tij, ofron lehtësira fiskale për biznesin, sipas përvojës së ndjekur nga Italia në situatë të njëjtë pas tërmetit në Aquila.
“Të gjitha bizneset; bizneset e vogla, bizneset e Durrësit duhet të përfitojnë nga masa lehtësuese. Kështu ka ndodhur kudo kur janë goditur ekonomitë lokale nga tërmeti. Durrësi nuk është thjesht ekonomi lokale, është ekonomia e dytë më e madhe pas Tiranës”, shprehet kryedemokrati Basha.
Për të dalë nga kjo situatë, PD ka propozuar 5 masa:
Pezullim të faturave të energjisë dhe të ujit.
Pezullim të të gjitha taksave vendore, duke përfshirë taksën e pronës,
Pezullim dhe shtyrje e pagesës me këste të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore
Anulim i çdo takse të tatim-fitimit apo taksa të tjera për të gjithë kohën derisa situata të normalizohet.
Kryetari i PD propozon përjashtim nga TVSH për lëndët e para dhe materialet që përdoren për rikuperimin e dëmeve.
Duke sjellë në vëmendje rastin e Italisë, Basha vuri në dukje se nëse kjo paketë lehtësuese nuk zbatohet nga qeveria, biznesi do të vuajë pasoja të rënda.
“Veprimtaria juaj fiskale duhet pezulluar. Shteti s’mund t’ju marrë asnjë cent, s’mund t’ju tatojë gjatë kohës që ju nuk punoni. Dhe kjo nuk është mëshirë, kjo është normale. Si mund të tatosh një biznes që nuk punon për shkak të një fatkeqësie natyrore?! E dyta duhet të keni mundësinë që të mbështeteni në të njëjtën mënyrë si banorët dhe banesat për rimëkëmbjen e biznesit. Në Itali, ku ra tërmeti i madh para dy vjetësh, bizneset janë mbështetur deri në 100% të vlerës së dëmit, njësoj si banesat”, u shpreh ndër të tjera Basha.
Ai tha se në rast se nuk ndihmohet biznesi, atëherë gjërat vijnë zinxhir dhe pasojat e krizës i vuajnë të gjithë.
"Kur themi biznes krijojmë keqkuptime, biznes do të thotë punësim, është një zinxhir i tërë që është pas punës tënde; do të thotë fuqi blerëse, do të thotë punësim, do të thotë edhe buxhet. Në qoftë se nuk arrin dot të mbështesë biznesin do të dëmtosh të gjithë; do të dëmtosh të punësuarit, do të dëmtosh buxhetin e shtetit, do të dëmtosh edhe mundësinë e shtetit për të ardhur në ndihmë", deklaroi kreu i opozitës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.