Lajme

Basha: “Astiri”, projekt korruptiv. Bashkia: Janë prishur mbi 10 ndërtesa

Lulzim Basha është rikthyer në krah të një pjese të banorëve të zonës së “Unazës së Re” në ditën e 29-të të protestës së tyre kundër prishjes së ndërtesave.

Në fjalën e mbajtur para mediave që ishin të pranishme, kreu i Partisë Demokratike ripërsëriti akuzat e opozitës së projekti është korruptiv dhe kërkoi hetimin e tij.

“Unë do ta vlerësoja nga fillimi këtë projekt për dobishmërinë për qytetin, transportin urban. Nëse do bindesha për vlefshmërinë do e konsultoja me banorët”, tha ai.

Sipas Bashës, projekti në fjalë nuk ka transparencë dhe akuzoi mazhorancën se ka shkelur e po shkel Kushtetutën.

“Po dhunohen banorët vetëm që të pasurohet agai i Surrelit. Është shkelur ligji për shpronësimet. Zgjidhja është ndalimi i projektit. Duhet një hetim i plotë i këtij projekti, i kësaj megavjedhjeje”, vijoi ai.

Por, pavarësisht akuzave të opozitës dhe protestës së banorëve, për Bashkinë e Tiranës puna po vijon. Bashkia njoftoi se po zhvendoset ndriçimi dhe gjelbërimi në anën tjetër, nga krahu i Sheshit Shqiponja për t’i hapur udhë projektit.

Trafikndareset e vendosura ne aksin nga Shkolla Teknologjike tek Sheshi Shqiponja

Bashkia thotë gjithashtu se banorët janë ndërgjegjësuar dhe kanë vendosur të bashkëpunojnë me Bashkinë e Tiranës dhe ARRSH-në, duke zhvendosur mobiliet dhe materialet elektroshtëpiake dhe duke bërë vetë çmontimin e objekteve..

Sipas asaj që deklarohet në njoftimin e Bashkisë, deri më tani në zonën në fjalë janë prishur më shumë se 10 objekte pa leje. Puna është kryer gjatë natës për të shmangur trafikun. Por, banorët që protestojnë thonë se asnjë banesë nuk është prishur deri më tani.

“Bashkia e Tiranës dhe ARRSH-ja deklarojnë se kanë ofruar shpronësim sipas parashikimeve ligjore për banorët që i kanë ndërtimet me leje, ndërsa për gjithë të tjerët ka ofruar banesa sociale pa afat ose bonus strehimi për 3 vite”, thuhet në njoftimin e Bashkisë së Tiranës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë