Politike

Bardhi në SPAK: Dosja ‘Xibraka’ u rihap! Më pyetën vetëm nëse kisha diçka për të shtuar

Gazeta Si - Nënkryetari i PD së Rithemelimit, Gazment Bardhi është paraqitur në SPAK këtë të premte (24 maj) për të dëshmuar në lidhje me dosjen e laboratorit të kokainës në Xibrakë, ku pretendon se është i përfshirë edhe Olsi Rama, vëllai i kryeministrit Edi Rama.

Pas marrjes në pyetje nga SPAK, Bardhi konfirmoi se dosja “Xibraka” është rihapur.

"Gjithçka që kam denoncuar publikisht e kam dorëzuar në SPAK. Jam informuar me shkrim nga drejtuesi i SPAK dhe hetuesit e BKH se dosja e Xibrakës është rihapur, ka rinisur hetimi për identifikimin e personave të përfshirë, - tha Bardhi. - Seanca e marrjes në pyetje kishte vetëm një pyetje, u thirra si person në dijeni dhe u pyeta nëse kisha diçka për të shtuar", u shpreh Gazment Bardhi.

Gazment Bardhi kërkoi disa herë një përballje dhe interpelancë me kryeministrin Edi Rama, lidhur me pretendimet e nënkryetarit demokrat se vëllai i Kryeministrit është i përfshirë në dosjen “Xibraka”. Bardhi konfirmoi se u mor në pyetje nga prokurorët e SPAK si person që ka dijeni për rrethana të hetimit.

Në vijim Bardhi kërkoi që të heton dy prokurorët që kanë hetuar për dosjen Xibraka, pasi sipas tij kanë lënë pa identifikuar kokat e laboratorit të kokainës, për t’u promovuar brenda sistemit të drejtësisë nga kryeministri Rama.

“Të hetohet edhe roli i dy prokurorëve që kanë pasur në dorë dosjen e Xibrakës. Është e pafalshme që një pjesë e grupit kriminal ndoshta kokat e këtij grupi kanë mbetur të paidentifikuar nga Prokuroria. Ajo është çështje me rëndësi themelore publike sepse bëhet fjalë për laboratorin e parë të kokainës në vendin tonë dhe duhet të kishte pasur një hetim të serioz dhe të gjithanshëm nga prokuroria. Dy prokurorët zgjodhën të merrnin mbështetje nga Edi Rama për ecurinë e tyre në karrierë, në vend se të kryenin detyrën me korrektësi, në përputhje me ligjin për ti shkuar deri në fund të vërtetës".

Sipas denoncimit të Bardhit, një person i paidentifikuar, i moshës 45 vjec, rezulton të ketë përdorur automjetin me targa AA 653 DM. Sipas të dhënave TIMS, Olsi Rama është përdorues i këtij automjeti, sëbashku me tre drejtuesit e tjerë të organizatës kriminale.

Bardhi iu referua dokumenteve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe të dhënave të sistemit TIMS për të provuar sipas tij faktin se Olsi Rama ka përdorur gjatë vitit 2014 të njëjtën makinë me të dënuarit e tjerë të dosjes “Xibraka”, ku policia zbuloi atë kohë një laborator të përpunimit të kokainës në fshatin me të njëjtin emër.

Sipas Bardhit, filli lidhës mes Ramës dhe anëtarëve të tjerë të grupit ishte makina me targa AA 653DM, e përdorur prej tyre dhe e regjistruar në sistemin TIMS në hyrjet dhe daljes nga vendi.

Prokuroria e Krimeve të Rënda akuzoi Genci Xhixën si drejtues të grupit kriminal të përfshirë në laboratorin e kokainës, por ai nuk u arrestua asnjëherë nga policia.

Anëtarët e grupit u dënuan me 104 vjet burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda, por dënimet u lehtësuan në Apel dhe disa prej tyre, si në rastin e Ermal Hoxhës dolën më herët nga burgu për “sjellje të mirë”.

Në lidhje me akuzat ndaj Olsi Ramës, Gazment Bardhi kërkoi një interpelancë në Kuvend me kryeministrin Edi Rama, por ky e fundit e refuzoi, madje socialistët me në krye kryeparlamentaren Lindita Nikolla e rrëzuan kërkesën që në Këshillin e Mandateve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë