Futboll

Barcelona triumfon 3-0 në ‘El Clasico’-n amerikan, Reali përplaset te shtyllat

Gazeta Si – ‘El Clásico’ në tokën teksane ka përfunduar me triumfin e katalanasve. Katër shtylla dhe një penallti e humbur për madrilenët.

Përballjet mes Barcelonës dhe Real Madrid nuk janë kurrë ndeshje të zakonshme, edhe miqësoret, si ajo që u luajt në ‘AT&T Stadium’. Fituan djemtë e Ksavit 3-0, me gola të Dembele, Fermìn dhe Ferran Torres. Ishte një ndeshje plot emocione, me 90 minuta mjaft intensive.

Pas traversës që në fillim të ndeshjes nga Oriol Romeu, avantazhi blaugrana erdhi pas 15 minutash, kur me një skemë nga goditja e dënimit, Pedri liroi Dembèlè për goditjen fituese. Araujo i dha më pas Realit mundësinë të barazonte, me një prekje topi me dorë në zonë. Nga pika e bardhë e penalltisë Vinicius goditi traversën.

Rodrigo më pas iu afrua golit me një goditje dënimi, por u ndal nga Ter Shtegen. Numri 7 i Realit më pas goditi traversën me një gjuajtje të befasishme, pastaj ishte Militao që pa shtyllën t’i mohonte festën e golit. Në fundin e pjesës së parë gjakrat u ndezën, pas një ndërhyrjeje të ashpër De Jong.

Në pjesën e dytë ishte radha e Tçuamenit të godiste shtyllën. Në fund i riu Fermìn dyfishoi me një të majtë të fortë nga jashtë zonës dhe më pas shërbeu Ferran Torres për golin e 3-të, duke mbyllur llogaritë. Mes dy golave të Barcelonës edhe një tjetër traversë e Vinicius, pas një numri të bukur në zonë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë