Futboll

Barcelona tremb Interin, Lautaro Martinez prioritet për sulmin

Vera e ardhshme do të ketë manovra të mëdha për të ardhmen e Barcelonës, që duhet të rinovojë skuadrën në të gjitha repartet, duke zëvendësuar disa nga yjet e saj. Një prej yjeve që duhet zëvendësuar është sulmuesi Luis Suarez, i cili mbush 33 vjeç në janar. Ka zëra se uruguaiani do të largohet në fund të sezonit, ose në rastin më të keq në 2021-shin, kur i skadon kontrata me katalansit, kështu që drejtuesit e Barcelonës duhet të lëvizin në merkato për të gjetur pasardhësin e tij.

“Mundo Deportivo”, një gazetë afër Barcelonës, shkruan se janë katër emrat e sulmuesve në listën e objektivave të katalanasve, konkretisht Kilian Mbape, Herri Kejn, Markus Rashford dhe Lautaro Martinez. Sipas të përditshmes katalanase, emri i Lautaros është prioritet në merkaton e Barcelonës, sepse ai pëlqehet më shumë për potencën e tij, përveç aftësive teknike. Një e veçantë e sulmuesit të Interit, që nuk ka kaluar pa u vënë re, është se ai shënon dhe bën një paraqitje shumë të mirë në ndeshje të mëdha. Këtë sezon ka shënuar ndaj Napolit, Milanit, Barcelonës, Juventusit dhe Borusia Dortmund.

Lautaro Martinez me fanellën e Interit. Gazeta Si, 22 nëntor 2019

Drejtuesit e Interit së shpejti do të takojnë agjentin e lojtarit, me qëllim rinovimin e kontratës për ta larguar sulmuesin nga klubet e tjera. “Mundo Deportivo” për këtë pjesë shkruan: “Interi synon ta rritë sa më shumë çmimin, por në shumicën e rasteve vendos për shitje në situata të tilla”. Në fakt, klubi ziklatër ka rezistuar edhe përballë ofertave shumë të larta për ata lojtarë, si në rastin konkret Lautaro Martinez, që konsiderohen pjesë thelbësore të projektit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë