Futboll

Barcelona nuk njihet më, rekord negativ për Mesin

Një mbrëmje krejtësisht për t’u harruar për Barcelonën në “Mestalla”, ku humbi 2-0 dhe tani rrezikon ta kalohet nga Real Madrid, që luan sot në fushën e Valadolidit. Të dyja skuadrat kryesuese kanë për momentin nga 43 pikë. Pas fitores me vuajtje ndaj Granadës dhe drithërimave në Kupë ndaj Ibizës, për trajnerin e ri, Kike Setien, ka ardhur humbja e parë.

Barcelona nuk njihet më në fushë dhe ndaj Valencias mund të kishte humbur më thellë, nëse Ter Shtegen nuk do të kishte pritur një penallti të Maksi Gomez, i cili gjithsesi e gjeti rrugën e rrjetës më vonë. Barcelona e trajnerit të ri, jo vetëm që nuk po luan mirë, por tashmë ka një kontroll të kotë të topit dhe është shumë e brishtë në mbrojtje. Setien aktivizoi në mbrojtje Umtitin dhe Serxhi Roberton në vend të Semedos dhe Lenglet, në mesfushë luajti treshja De Jong-Buskets-Artur. Në sulm, në mungesë të Suarez dhe Dembele, Mesi dhe Grizman kishin si partner të riun Ansu Fati.

Zhgënjimi i katalanasve pas humbjes me Valencian. Gazeta Si, 26 janar 2020

Valencia, edhe pse me mungesa të rëndësishme, shënoi 2 herë dhe humbi një penallti. Ter Shtegen e mbajti Barcelonën në lojë në disa raste, por në pjesën e dytë nuk kishte çfarë të bënte. Maksi Gomez e kaloi Valencian në avantazh me një të djathtë që u devijua edhe nga Zhordi Alba. Me futjen e Vidal, katalanasit sikur u ringjallën pak, por goli i barazimit mbeti vetëm një dëshirë. Valencia sulmon vazhdimisht, duke parë edhe problemet në mbrojtje të Barcelonës. Ferran Torres gjen Maksi Gomezin të vetëm në të majtë dhe uruguaiani “djeg” Ter Shtegenin me shumë gjakftohtësi, duke firmosur fitoren 2-0 ndaj katalanasve në krizë te thellë.

Lionel Mesi në këtë ndeshje ka vendosur një rekord negativ: 11 gjuajtje në portë dhe asnjë gol. Paraqitja e dobët e Barcelonës reflektohet edhe te paraqitja e argjentinasit. Nëse nuk do të bëhej fjalë për fituesin e “Topit të artë”, disa numra mund të duken normalë, por kur flitet për lojtarin më të mirë në botë, fakti që nuk shënon në asnjë nga 11 gjuajtjet e bëra gjatë ndeshjes, përbën lajm. Hera e fundit që Mesi ka bërë këtë paraqitje zhgënjyese është dhjetori i vitit 2017, në ndeshjen ndaj Deportivo La Korunjës. Edhe atëherë gjuajti 11 herë në portë dhe nuk shënoi asnjë gol.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë