Futboll

Barcelona në kaos, 1 mln euro për të diskretituar Mesin, Pike dhe Guardiolën

Baltë mbi Barcelonën, klubin e madh spanjoll që rrezikon të njolloset keq. Mbrëmjen e së dielës, gjatë transmetimit të emisionit “El Larguero”, radio “Cadena Ser” ka denoncuar lidhjen mes Barcelonës dhe kompanisë “I3 Ventures”. Sipas saj, klubi spanjoll i ka paguar 1 milionë euro me 6 këste kësaj kompanie për të krijuar dhe administruar profile në rrjetet sociale për të diskretituar dhe hedhur baltë mbi Mesin dhe bashkëshorten e tij Antonela, Pikenë, Ksavin, Guardiolën dhe presidentin e “Mediapro Roures”, ish-presidentin katalanas Puigdemont.

Klubi i Barcelonës është mbrojtur me një komunikatë, ku saktëson se ka një bashkëpunim me “I3 Ventures”, por vetëm për të monitoruar fluksin e mesazheve në rrjetin e klubit dhe se nuk kishte asnjë pikë në kontratë për profilet e cituara nga “Cadena Ser”. Por të hënën në mbrëmje radio në fjalë ka publikuar një dosier prej 36 faqesh, ku konfirmohet administrimi i profileve të “inkriminuara” nga “I3 Ventures”. Pas pak orësh dy site të kompanisë së lidhur me skandalin janë mbyllur.

Presidenti katalnas Bartome dhe një faksimile e dokumenteve të publikuara nga "Caden Ser". Gazeta Si, 18 shkurt, 2020

Pritet një tjetër reagim nga Barcelona, ndërkohë që polemikat janë gati të shpërthejnë. Shqetësimi në këtë moment është jashtëzakonisht i madh për mënyrën e përdorimit të të ardhurave të klubit, që është në pronësinë e disa ortakëve. Do të ketë një çështje ligjore, por meraku më i madh për kupolën drejtuese të Barcelonës është raporti i tendosur me ekipin dhe mbi të gjitha me kapitenin Leo Mesi, i cili shpërtheu publikisht kundër Erik Abidal, drejtorit sportiv të katalanasve. Mesi nuk ka folur ende për skandalin që ka pushtuar Barcelonën, por kuptohet se kjo gjë e ndërlikon së tepërmi situatën dhe argjentinasi mund të largohet gratis, edhe pse ka kontratë deri më 2021-shin.

Presidenti i Barcelonës, Bartomeu, duhet të qetësojë sa më parë situatën, sepse që tani po flitet për zgjedhje të parakohshme në “Camp Nou”. Mandati i Bartomeut skadon në vitin 2021.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë