Futboll

Barcelona do t’i kërkojë 100 mln euro UEFA-s, nëse përjashtohet nga Championsi

Gazeta Si – Nëse UEFA, në fund të hetimit për 'çështjen Negreira' e penalizon Barcelonën me përjashtim nga Championsi sezonin e ardhshëm, pa pritur vendimet e drejtësisë spanjolle, rrezikon të humbasë financiarisht. Klubi katalanas në një rast të tillë do të kërkonte një dëmshpërblim të majmë prej 100 milionë eurosh.

Kjo shifër, sipas ‘Mundo Deportivo’, është fiksuar duke vlerësuar atë që Barcelona përfiton nga pjesëmarrja në Champions çdo sezon, plus shuma që do të humbej nga largimi i sponsorëve për pjesëmarrjen e munguar në aktivitetet ndërkombëtare.

Presidenti i Barcelones, Johan Laporta. Gazeta Si, 30 mars 2023

Në rast dënimi Barcelona jo vetëm do të apelojë, por do të shkojë në gjykatë edhe për dëmshpërblimin e përmendur më sipër, kështu që UEFA duhet të mendohet mirë.

Shkelja e klubit spanjoll lidhet me gërmën G të nenit 4 të rregullores së Ligës së Kampionëve, Ligës së Europës dhe Ligës së Konferencës. Sipas këtij neni, për t’u regjistruar në kompeticion një klub duhet të mos jetë direkt ose indirekt i përfshirë "në çdo lloj influencimi në rezultatin e një ndeshjeje në nivel kombëtar ose ndërkombëtar".

Procedura e katalanasve do të niste në momentin kur drejtësia spanjolle nuk do të gjente asnjë shkelje penale në "çështjen Negreira". Në këtë rast do të ishte detyruese për UEFA-n, sepse ajo nuk mund të shkojë kundër legjislacionit në fuqi të një shteti.

Ka një precedent të një situatë të ngjashme, kur UEFA përjashtoi Fenerbahçen nga Championsi 2011-2012, pas akuzave për trukim ndeshjesh. Në atë proces klubi turk u lirua nga të gjitha akuzat.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë