Futboll

Barcelona bën rotacion ndaj Interit, Leo Mesi duhet të pushojë

Barcelona luan nesër në Milano ndeshjen e fundit në grupet e Championsit ndaj Interit, por katalanasit mendjen e kanë diku tjetër. Interi luan një pjesë të mirë të sezonit në këtë ndeshje, ndërsa spanjollët e kanë siguruar me kohë vendin e parë në grup. Më shumë skuadra e Valverdes mendon për trasfertën e së shtunës me Real Sociedadin dhe “El Clasico”-n, që luhet të mërkurën e javës tjetër në “Camp Nou”.

Ky është një lajm i mirë për Interin, që ka nevojë për fitore ndaj Barcelonës. Katalanasit do të kursejnë një pjesë të mirë të titullarëve, mes tyre edhe Lionel Mesin, fituesin e “Topit të Artë”. Trajneri Valverde do të bëjë rotacion në “San Siro”, pasi u druhet dëmtimeve. Ai nuk do të ketë në këtë ndeshje francezin Dembele dhe me shumë mundësi edhe anësorët Semedo dhe Zhordi Alba. Janë rikuperuar Artur dhe Ansu Fati, të cilët mund të jenë edhe titullarë. Portën e Barcelonës pritet ta mbrojë Neto, në mbrojtje do të jenë Zhunior Firpo, Umtiti dhe njëri mes Pike dhe Pike.

Arturo Vidal, ish-lojtari i Juventusit, pritet titullar nesër ndaj Interit. Gazeta Si, 9 dhjetor 2019

Arturo Vidal është thuajse i sigurt në mesfushë, ashtu si Rakitiç. Mund të luajë edhe i riu Alenja, ndërsa në sulm mendohet të ketë vend për Ansu Fati dhe Karles Perez. Lionel Mesi është në një formë të shkëlqyer dhe sipas të gjitha gjasave, duhet të pushojë në këtë ndeshje, por nuk është 100% e sigurt. Në një situatë të tillë një vit më parë, kur Barcelona luante në fushën e Totenhemit, argjentinasi e nisi nga stoli dhe u fut në fushë në pjesën e dytë. Ndoshta kështu do të ndodhë edhe nesër në Milano. Edhe pse tifozët e Interit kanë shansin të shohin nga afër Mesin, ata do të preferonin që ai të qëndronte në stol në këtë rast. Interi është në garë me Borusian e Dortmundit për vendin e dytë në grup.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë