Komunitet

Banorët protestuan për shpronësimet, Peleshi: I dëmshpërblejmë me vlerën e tregut, puna në Kuçovë nis në janar

Punimet për ndërtimin e aeroportit të Kuçovës, ku NATO do të investojë 50 milionë euro për ta shndërruar atë në një aeroport bashkëkohor në shërbim të aleancës, do të fillojnë në janar të vitit të ardhshëm.

Njoftimi u dha nga ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi gjatë publikimit të vendimeve të marra nga Qeveria në mbledhjen e kësaj të enjteje.

Në këtë mbledhje është vendosur për vlerësimin dhe masën e dëmshpërblimit për banorët pronat e të cilëve preken nga zgjerimi dhe rindërtimi i këtij aeroporti. Një pjesë e këtyre banorëve protestuan pak ditë më parë, duke i cilësuar dëmshpërblimet si qesharake dhe 10 herë më të ulët se vlera e tregut.

Por, ministri Peleshi u shpreh se dëmshpërblimet janë përcaktuar sipas vlerës së tregut.

“Puna do të fillojë pas përmbylljes së të gjithë procesit të dëmshpërblimit të banorëve. Një lajm i mirë për familjet që preken nga shpronësimet, pasi do të shpronësohen sipas vlerës së plotë të tregut bazuar në të gjitha aktet ligjore dhe pa asnjë vonesë”, deklaroi Peleshi.

Disa familje, pronat e të cilëve preken nga zgjerimi i pistës dhe ambienteve të tjera të Aeroportit të Kuçovës dolën në protestë javën e kaluar kundër masës së dëmshpërblimit të ofruar. Protestuesit nuk janë dakord me çmimin e vendosur nga Ministria e Mbrojtjes prej rreth 2 milionë lekësh për një dynym tokë. Ata thonë se ky çmim është nën vlerën e tregut real që kanë pronat e tyre.

“Pronat tona siç janë shtëpitë që kemi ndërtuar me mund e me djersë një jetë të tërë kushtojnë 10-fishi i asaj që duan të na shpronësojnë. Ne nuk do të lëvizim nga pronat tona dhe nuk do lejojmë që shteti të na i marri. Më mirë le të na vrasi edhe ne brenda banesave”, deklaruan protestuesit.

Në total janë rreth 200 familje që preken nga zgjerimi i Aeroportit dhe bazës ushtarake të Kuçovës. Në këtë vepër do të investohen rreth 50 milionë euro nga ana e NATO-s, për ta shndërruar në një bazë dhe aeroport ushtarak funksional me parametrat e aleancës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë