Njerez

Çfarë presin kuçovarët nga baza e NATO-s?

Një “cicërimë” e Edi Ramës përmes rrjeteve sociale ndryshoi humorin e një qyteti të tërë. Kryeministri njoftonte i lumtur se Këshilli i Atlantikut kishte vendosur investimin e miliona eurove për rikonstruksionin e bazës ajrore të Kuçovës dhe jo pa krenari përmendte me optimizëm edhe ndikimin pozitiv që do të ketë ky investim në jetën ekonomike dhe sociale në zonën përreth.

Po vetë banorët e Kuçovës dhe të zonave përreth, a ndajnë këtë optimizëm? Ne të Gazetës Si i pyetëm nga afër dhe me aq sa kuptuam qytetarët ndahen në tre grupe. Grupi më i madh është ai i optimistëve.

“Është gjë e mirë që do të bëhet se do të ketë më shumë punë, do të ketë më shumë qarkullim”, na thotë një i moshuar, që më pas kujton me nostalgji kohën kur baza ajrore ishte e gjallëruar.

“I shkatërruam, por dikur shihnim që këtu nga qyteti kur ngriheshin avionët atje dhe të gjithë ne kur ishim fëmijë ëndërronim që të bëheshim pilotë, ose të paktën t’i shihnim nga afër avionët.

Hyrja e Bazës Ajrore të Kuçovës

Ëndrrën për t’u bërë pilotë shumë pak e realizuan, ndërsa ata që patën mundësi të shihnin nga afër avionët luftarakë si punonjës të bazës ishin disi më të shumtë. Njëri prej tyre është Nikolla Bulku, 58-vjeç.

“Kam qenë teknik parashutist deri në vitin 1996”, na thotë fillimisht.

Ndan mendimin e shumicës se investimi prej 51 milionë eurosh i NATO-s për këtë bazë do të gjallërojë disi qytetin, megjithëse thotë se ka një mënyrë tjetër që do t’i shërbente më mirë zonës.

“Sigurisht që do të ndikojë tek ekonomia dhe të ardhurat. Edhe sikur nga një byrek të marrin ata punonjësit e NATO-s, janë sërish para të shpenzuara në Kuçovë. Por, për mua do të ishte më mirë që të ishte bërë aeroport civil. Aeroporti civil do t’u shërbente më mirë banorëve të kësaj zone”, tregon ai.

Nikolla përmendi byrektoret, po pronarët e byrektoreve, që ashtu si në gjithë Shqipërinë, edhe në Kuçovë janë biznese familjare?

“Po unë nuk e di, por për mirë them se do të ndikojë dhe shpresoj që të kemi më shumë punë, se tani mezi po ja dalim, me shumë mundime e sakrifica”, na thotë pronarja-punëtore e një byrektoreje, që kishte ende duart me miell e brum.

Është muaji gusht dhe megjithëse sezon pushimesh, të moshuarit e ulur në hijet e lulishteve për një dorë domino na tregojnë se qyteti ka pak më shumë gjallëri në këtë periudhë.

“Kanë ardhur djemtë e vajzat nga emigracioni. Dimri është i shkretë këtu”, thotë njëri prej tyre.

Emigrimi, një plagë mbarëshqiptare, edhe në Kuçovë ka të njëjtat shkaqe; mungesën e perspektivës për të ardhmen dhe ambicia për një jetë më të mirë, përtej asaj që shpesh Shqipëria e ofron në kufijtë e mbijetesës. Por a mund t’i kthejë sërish në vendlindje një investim ushtarak të rinjtë kuçovarë?

“Unë jam emigrant dhe nuk e kam dëgjuar shumë këtë histori, por shpresoj që ky investim t’i japë gjallëri Kuçovës”, thotë Aldo.

Aldo na thotë se jeton e punon në Itali dhe kur e pyesim nëse ka ndërmend që të kthehet sërish, ngre supet e na lë pa përgjigje.

Si Aldo ka shumë, por të shumtë janë edhe ata që kanë zgjedhur emigrimin brenda vendit.

“Jetoj në Tiranë. Këtu kam prindërit. Shpresoj dhe besoj që do të ndikojë në përmirësimin e jetesës këtu”, tregon Afrimi.

Asnjëri prej tyre nuk e ka dëshirë aparatin apo kameran, por që të dy shprehen optimistë se gjërat po ndryshojnë dhe do të vazhdojnë të ndryshojnë për mirë.

Grupi i dytë i qytetarëve janë ata të cilët si shumë zhvillime të tjera që përfshijnë politikën në mes, edhe në këtë rast zgjedhin shpërfilljen.

“Unë jam nga një fshat këtu afër, nuk di gjë. Këtë punë e di qeveria. Ata e dijnë më mirë. Ne nuk dimë gjë. Të shohim”, na thotë një burrë rreth të 50-ave.

“Çfarë të themi ne për atë bazën? Ne nuk dijmë gjë. Na thonë që do të vijë NATO aty poshtë dhe kaq”, shprehet një çift të moshuarish.

Ka edhe një grup tjetër, janë pesimistët. Nuk i gjen të shumtë në numër, por as të paktë nuk janë.

“Asgjë s’ka për të ndryshuar. Njësoj do të jetë. Atje do të investojnë për ushtrinë, e ca do të na sjellë kjo ne?! Ata do të vijnë me bukë me vete”, na thotë Seiti.

Lulzimi është 33 vjeç. Thotë se punon mësues në shkollën fillore të një fshati aty afër. Ai sheh një panoramë më të gjerë dhe më të zymtë.

“Amerikani është si ai kungulli, që i thotë ferrës a të futem pak në hijen tënde dhe më pas rritet e zë ferrën dhe e shtyp me kungujt që prodhon”, shprehet ai.

Deri para lajmit të rikonstruksionit të bazës, Viktor Vangjelin e njihnin vetëm në Kuçovë. Pas këtij lajmi, ai u bë i famshëm në të gjithë Shqipërinë. Thotë se është njëri prej dy ish-pilotëve që ka mbetur ende në këtë qytet. Në dukje është një 80-vjeçar energjik. Thotë se po bëhet shumë zhurmë për asgjë dhe se intervistat e shumta e kanë lodhur.

“U bë shumë bujë. Për mua nuk duhej kaq bujë dhe nga ajo që unë shoh deri më tani, më duket se nuk do të jetë kaq e madhe”, thotë Viktori. E pyetëm nëse me këtë nënkupton që baza do të shërbejë vetëm si tranzist dhe na përgjigjet duke tundur kokën në formë pohuese.

Viktor Vangjeli, ish-pilot

Na tregon që fluturimin e parë e ka kryer në vitin 1963 dhe më pas shumë të tjerë, aq shumë sa e ka harruar numrin, deri në vitin 1990, kur ka dalë në pension. Gjatë kësaj periudhe vetëm një moment të vështirë mban mend.

“Kam fluturuar Mig-15, Mig-17 dhe Mig-19. 15 dhe 17 nuk fluturonin natën, 19 fluturonte. Kur e mora për herë të parë natën e pashë të vështirë. Kisha atë frikën se mos do të gaboja diku”, thotë ai.

Vetë kryetari i Bashkisë së Kuçovës, Selfo Kapllani bën pjesë tek njerëzit optimistë. Ai është i vetëdijshëm për problematikën që ka qyteti që drejton dhe investimin në kuadër të NATO-s e sheh si mundësi të mirë.

“Për fat të mirë Kuçova ka ende specialistë të aviacionit. Këtu janë 1380 punëkërkues në zyrën e punësimit. Tradita e specialistëve këtu është. Tek pjesa e mirëmbajtjes është terren shumë i mirë që mund të jenë shumë të përshtatshëm në çdo kohë si personel mirëmbajtës”, deklaron ai.

Një tjetër ndikim pret edhe tek buxheti i bashkisë.

Kryetari i Bashkisë së Kuçovës, Selfo Kapllani

“Patjetër që do të ndikojë. Ndikon tek taksat lokale. Ndikon në të ardhurat që do të krijohen nga infrastruktura. Për çdo leje ndërtimi marrim një përqindje të caktuar, taksat bazë që janë pastrimi, gjelbërimi, ambienti kanë një përqindje të caktuar. Ajo që përfitojmë më shumë është punësimi. Furnizimi, prapavija, punëtorët e krahut që në këtë treg jemi shumë të etur. Ato pak biznese do të jenë pjesë e gjithë vlerësimit që do të bëhet”, shprehet ai.

Kryetari i Bashkisë thotë se infrastruktura rrugore është në përfundim. Përmend aksin Kuçovë-Belsh-Cërrik si një nyje të rëndësishme për qytetin dhe gjithë zonën dhe deklaron se me hapjen e bazës nuk do të jetë e nevojshme një ndërhyrje dytësore në këtë sektor.

Por, paralajmëron një ndërhyrje, atë tek plani i përgjithshëm vendor. “E kemi miratuar, por sigurisht që në kuadër të një strategjie kaq të madhe ai plan do të pësojë ndryshime”, na thotë.

Ashtu si Nikolla, edhe kreu i Bashkisë së Kuçovës është i vetëdijshëm që një aeroport civil do të ishte më i dobishëm për komunitetin, por e kupton që vendimi i qeverisë është gjeopolitik.

“Diskutimi ka qenë gjithmonë i hapur. Të merrte qeveria një vendim për aeroport civil, kushtëzohet shumë gjëra. Së pari, aeraporti i Vlorës diskutohej shumë gjatë dhe së dyti çështja është se Kuçova është afër me Rinasin. Ne e kemi kërkuar, por nuk kemi qenë shumë entuziastë se nuk ka qenë e mundur për t’u bërë një gjë e tillë”, deklaron ai.

Bashkia i ka kërkuar Qeverisë hapjen e dy muzeve në qytet, Muzeun e Aviacionit Luftarak dhe Muzeun e Naftës. Sipas kryetarit Selfo Kapllani, kjo do të vendoste Kuçovën në hartën e turizmit dhe do të përfitonte nga afërsia me Beratin. Thotë se propozimet kanë marrë miratimin e Kryeministrit Edi Rama.

Por, a pret bashkia ndonjë ndikim në mjedis?

“Patjetër. Por, shiko, Kuçova ka qenë e mësuar me ndotjen akustike. Nuk ekzistonte ky term në ato kohë, por atëherë bëheshin fluturime shumë herë në ditë dhe ishin edhe avionë reaktivë. Tani nuk besoj që do të jetë në ato përmasa. Nuk besoj që të kenë ndikim aq të madh sa të kushtëzojnë imazhin dhe jetesën e njerëzve”, deklaron ai.

Sipas asaj që ka njoftuar Kryeministri Edi Rama dhe Ministria e Mbrojtjes, puna për rikonstruksionin e Bazës Ajrore të Kuçovës do të nisë brenda këtij viti. Investimi i parë do të jetë rrethimi i rreth 400 hektarëve, pronë të kësaj baze dhe më pas ngritja e kapanoneve për punonjësit që do të kryejnë rikonstruktimin.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë