Lajme

Banorët e Unazës së Re në protestë, Avokati i Popullit: Hetim procedurave

Banorët e Unazës së Re vijojnë me protestën për të kundërshtuar shembjen e banesave, të cilat preken nga projekti i “Unazës së Madhe”.
Banorët thonë se janë të vendosur të luftojmë deri në pikën e fundit të gjakut, pasi sipas tyre kjo është një padrejtësi, pasi nuk mund të lihen në mes të rrugës.
“Gjysmën e shtëpisë ma pret rruga, gjysmën tjetër kush e merr, e merr shteti e bën pallate. Ne nuk jemi kundër projektit, rrugën e duam, por si po na prish shtëpi të na japë shtëpi. Nuk jemi shpellarë të na lërë në mes të rrugëve. Kemi të drejtën minimale, si erdhi për vota, të kërkojë mendim për këtë projekt. Jemi njohur me projektin kur vunë tabelën, prej dy javësh e na thanë jeni skualifikuar nga legalizimi. Deri në pikën e fundit të gjakut, do protestojmë. Nuk mund të kthehemi ta nisim prapë me minus”, ka deklaruar një banore.
Ata paralajmëruan se protesta do të vijojë me bllokimin e rrugës dhe iu kanë bërë thirrje banorëve të tjerë që ti të bashkohen.
Pas këtyre protestave me mjaft tension, Avokati i Popullit ka kërkuar hetim të plotë lidhur me këtë çështje.
Mësohet se një peticion i nënshkruar nga mbi 200 qytetarë i është dërguar Avokatit të Popullit, me kërkesën që institucioni të hetojë nëse ka shkelje të procedurave shtetërore që cenojnë të drejtën e tyre.
Avokati vlerëson si tepër të rëndësishme që asnjë ndërtim të mos nisë nga punimet pa u pajisur fillimisht me lejen përkatëse si dhe është e domosdoshme që jo vetëm çdo veprim i cili cenon pronën e qytetarëve të kryhet në konsultim e në mirëkuptim me ta.
“Avokati i Popullit ka vërejtur ndërkohë qysh prej qershorit, kur problematika e zgjerimit të njërit prej loteve të Unazës së Re që prek zonën e Shkozës solli përplasje mes qytetarëve dhe autoriteteve publike, se duheshin marrë masa që situata të evitohej gjatë punimeve në lotet e tjera të kësaj vepre, siç është rasti me zonën aktuale tek Astiri.
Fatkeqësisht, asnjë prej rekomandimeve që Avokati i Popullit përfshiu në Raportin e tij special, i cili iu dërgua gjithë institucioneve relevante, përfshi Kuvendin e Shqipërisë, nuk është adresuar dhe për pasojë, jemi në kushtet e një krize të re të paralajmëruar. Sidoqoftë, në përputhje me ligjin në bazë të të cilit vepron, Avokati i Popullit ka depozituar edhe kësaj radhe kërkesa për informacion në të gjitha institucionet shtetërore të përfshira në këtë proces, si Bashkia e Tiranës, ALUIZNI, ARRSH, IKMT, etj.
Gjithashtu, përfaqësues të institucionit kanë marrë kontakt si me përfaqësues të këtyre autoriteteve shtetërore, ashtu edhe në terren me banorët duke e parë konkretisht situatën në mënyrë që argumentimi i raportit që pritet të përfundojë të jetë sa më korrekt.
Institucioni i Avokatit të Popullit vëren se është e domosdoshme që jo vetëm çdo veprim i cili cenon pronën e qytetarëve të kryhet në konsultim e në mirëkuptim me ta, por edhe institucionet përgjegjëse të ndërmarrin në çdo rast përpjekje për dialog me synim arritjen në një zgjidhje që nuk lë asnjë qytetar shqiptar të humbasë besimin tek institucionet tona dhe shteti ynë i përbashkët. Gjithashtu, institucioni e vlerëson si tepër të rëndësishme që asnjë ndërtim të mos nisë nga punimet pa u pajisur fillimisht me lejen përkatëse dhe ky duhet të jetë një standard i cili duhet të vlejë njëlloj si kur zbatohet mbi qytetarët ashtu edhe mbi institucionet shtetërore që ndërmarrin punime”, thuhet në reagimin e AP-së.

https://www.facebook.com/avokatipopullit/photos/a.355233774580902/1693075610796705/?type=3&theater

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë