Lajme

Protesta tek “Unaza e Re”, tension me shoferët

Banorët e zonës së “Astirit” në Tiranë kanë bllokuar sërish rrugën ditën e sotme në shenjë proteste pas vendimit të qeverisë për shembjen e banesave të tyre.

Sipas tyre, vendimi në fjalë është i padrejtë dhe janë shprehur të vendosur se nuk do të lejojnë shembjen e banesave deri në marrjen e dëmshpërblimit.

Rruga është bllokuar plotësisht nga banorët dhe nuk lejohet as qarkullimi i mjeteve. Protesta është shoqëruar edhe me momente tensioni, pasi një prej operatorëve të një televizioni ka rënë pre e dhunës. Një shofer i bllokuar në rrugë për shkak të protestës ka goditur në fytyrë dhe i ka thyer kamerën operatorit të një televizioni, pasi ky i fundit ka qenë duke filmuar. Shoferi i irrituar ka dalë nga mjeti dhe ka kërkuar që operatori mos të filmonte, pasi po bllokonte rrugën dhe më pas e ka goditur me grusht. Sot i janë bashkuar protestës edhe deputetët e opozitës, Flamur Noka dhe Brahimllari.

Prej ditësh, banorët e revoltuar kanë bllokuar të dyja anët e Unazës së Re dhe kanë protestuar me pankarta në duar.

Në protestën e djeshme ka qenë i pranishëm edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Kryedemokrati Basha ka akuzuar qeverinë dhe bashkinë se pa ligj po nxjerr jashtë shtëpive familjet.    


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë